Në kuadër të manifestimit “Vera Kulturore e Çairit 2026” mbrëmë filluan Ditët e Teatrit

Në kuadër të programit “Vera Kulturore e Çairit 2026”, mbrëmë filluan “Ditët e Teatrit”, duke sjellë para publikut shfaqje teatrore me tematikë dhe qasje artistike të ndryshme, shkruan Portalb.mk.

Hapja u bë në Sheshin “Skënderbeu”, me shfaqjen “Gënjeshtra” nga Teatri i Gjilanit, me regji të Eren Sopit. Një vepër që zhbiron çështjet e moralit, besnikërisë martesore dhe realitetit të shtrembëruar nga emocionet dhe manipulimi.

Në qendër të saj është një çift, Alice dhe Paul, që ftojnë për darkë një çift tjetër miqsh, por një zbulim i papritur nxjerr në pah dilemat mes të vërtetës dhe ruajtjes së qetësisë përmes gënjeshtrës.Para publikut u paraqitën aktorët Erni Rahmani, Qëndresa Jashari, Alban Shala dhe Safete Musafa Bafiu, të cilët sollën një interpretim dinamik dhe artistik.

Fotografi nga shfaqja “Gënjeshtra”. Foto: Portalb.mk (Faton Curri)
Fotografi nga shfaqja “Gënjeshtra”. Foto: Portalb.mk (Faton Curri)

Sone më 17 qershor, në ora 21:30, publiku do të ketë mundësi të ndjekë shfaqjen “Kush është Silvia?”, me regji të Fatmir Hysajt. Bëhet fjalë për një komedi që trajton marrëdhëniet njerëzore dhe sfidat e jetës familjare përmes humorit dhe situatave të papritura.

Manifestimi përmbyllet nesër më 18 qershor, në ora 20:00, në Teatrin e Gjuhëve në Shkup, me shfaqjen “Përtej Hekurave”, nën regjinë dhe dramatizimin e Naser Shatrollit. Shfaqja është ndërtuar mbi veprat “Bisedë përmes hekurave” të Ismail Kadaresë dhe “Filozofia politike e çështjes shqiptare” të Ukshin Hotit, duke sjellë në skenë një ndërthurje të fuqishme mes letërsisë, filozofisë, historisë dhe mendimit politik shqiptar.

“Ditët e Teatrit” synojnë të promovojnë artin skenik, kreativitetin dhe kulturën, duke krijuar hapësirë për takimin e artistëve me publikun dhe për pasurimin e jetës kulturore.

Fotografi nga shfaqja “Gënjeshtra”. Foto: Portalb.mk (Faton Curri)
Fotografi nga shfaqja “Gënjeshtra”. Foto: Portalb.mk (Faton Curri)