A do të vijë dita kur kritikët letrarë do të shkruajnë: “Autori e ka përdorur mjeshtërisht Inteligjencën Artificiale për portretizimin e personazheve, aq sa duket sikur janë krijuar me inteligjencë njerëzore”? A do të vijë dita kur do të botohen e lexohen libra “artistikë” e “filozofikë” të krijuar nga Inteligjenca Artificiale (IA)?
Mbase edhe kjo ka për të ndodhur, por e di se kurrë s’do të lexoj “letërsi” apo “filozofi” të krijuar nga IA, edhe nëse do të shpallesha njeriu më i prapambetur i epokës nga “mendjehapurit” që mburren se dinë të përdorin makinat dhe paralajmërojnë vdekjen e artit, pa e ditur se kryeveprat e letërsisë dhe të filozofisë u krijuan edhe kur nuk kishte rrymë elektrike…
Dua ta dëgjoj klithmën njerëzore dhe jo “klithmën” e sajuar nga makinat pa dhembshuri, që përmbledhin anekënd klithmat njerëzore dhe i paketojnë sikur të ishin klithma makine. Më shumë i dua gabimet njerëzore, sesa “përsosmërinë” e makinave.
A po vjen fundi i artit?
Kësaj pyetjeje të parashtruar ndër epoka, i përgjigjem thjesht: Kurrë! Pra, kurrë s’do të shuhen shandanët e artit, falë qirinjve të ndezur nga gjenitë më të çmuar të njerëzimit. Arti është hijerorja ku ruhen perlat më të çmuara që janë krijuar dhe krijohen nga njeriu.
U shpik aparati fotografik, por nuk vdiq piktura. Lindi filmi, por nuk vdiq teatri. Një poet tha se njerëzit do të shkruajnë poezi, përderisa ka një qiell që i dëgjon.
Mund të krijohen zhanre multimediale, por pa ëndrrat, ankthajën, ethnajën dhe dilemat njerëzore s’do të kenë të ardhme, përveç nëse njerëzimi ka vendosur të mbetet pa njerëzoren, por atëherë bota do të bëhet shkretëtirë e padurueshme.
Inteligjenca Artificiale mund t’i “ndihmojë” vetëm ata që duan të shfaqen si “artistë”, por në fund po ajo do t’i tradhtojë.
Artisti nuk krijon vetëm që t’i shfaqet botës dhe të bëhet njeri i vitrinës, por për të përmbushur një pasion. Ai krijon për ta larguar hijen e vdekjes dhe ankthin, duke u zhytur në përmasat e së panjohurës.
Ne mund t’i kërkojmë makinës të shkruajë sipas stilit të një shkrimtari apo filozofi, por në atë shkrim do të gjejmë imitim e eklektikë dhe asgjë nga shpirti i gjeniut.
Arti përmbledh të dukshmen dhe të padukshmen; realitetin e shajninë; tokësoren, qielloren dhe të nëndheshmen; parajsën e ferrin; dritën e terrin, qetësinë e tmerrin, engjëjt e djajtë; Kainin e Abelin; Judën e Krishtin; protagonistin e antagonistin; agun e muzgun; ëndrrën e zhgjëndrrën; të mundshmen e të pamundshmen. Arti është si Gilgameshi. Një pjesë është njeri dhe një pjesë hyjni…
Pra nuk më shqetëson se revolucioni IA do ta shuajë artin, por më shqetëson prirja e njeriut për vetëshkatërrim, si ajo kafsha mitologjike e quajtur Catoblepas, që fillon ta hajë vetveten. Kjo prirje ka qenë e shprehur në të gjitha epokat njerëzore. Tani njeriu mund të gjejë aleatin te makinat për të bërë marrëzitë e tij…
Arti është trillim, por shpreh të vërtetat më të trishta. Tani duhet të mësohemi të dallojmë dhe të mbrohemi nga gënjeshtra, mashtrimi e propaganda, që na paketohen si të vërteta.
Historia njerëzore dëshmon se prijësit zemërgur, të shtyrë nga vullneti demoniak për pushtet, shpesh pa empati dhe vrasje të ndërgjegjes, i shfrytëzuan të arriturat teknologjike për t’i mashtruar, komanduar dhe vrarë njerëzit, që i panë vetëm si objekte dhe statistikë. E dimë se shumica e shpikjeve teknologjike, përfshirë internetin, janë bërë për qëllime ushtarake.
Inteligjenca Artificiale do të jetë në shërbim të njeriut nëse nuk e humbasim përmasën humane. Ajo mund të ndihmojë në fushën e shëndetësisë, të ekonomisë, të arsimit dhe në fusha të tjera, por edhe mund të çojë në theqafje gjithë të arriturat njerëzore. Nobeli shpiku dinamitin për qëllime humane, por u keqpërdor për qëllime shkatërrimtare. Energjia bërthamore mund të sjellë dritë, por edhe terrnajë.
Botën mund ta mbrojë nga kjo katandisje arti, letërsia, filozofia e religjioni, por vetëm nëse nuk keqpërdoren për qëllime që nuk i përkasin sferës së tyre. Më saktë, botën e shpëton afria me Zotin, Njeriun, Natyrën dhe gjithë speciet e tjera.
Nëse bota s’do të predikojë humanizmin, atëherë do të përjetojë shkatërrimin. Zhvillimet në proporcion të zhdrejtë ndërmjet humanizmit e teknologjisë gjithmonë e kanë dëmtuar njerëzimin. Shoqërisë njerëzore i duhet baraspesha ndërmjet faktorit material e shpirtëror.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.