Në Kroaci është zbuluar një pesticid toksik i ndaluar në specat e importuar nga Maqedonia e Veriut

Një pesticid helmues i ndaluar u zbulua në specat nga Maqedonia e Veriut që u importuan në Kroaci, njoftoi Sistemi Evropian për paralajmërim të shpejtë të ushqimit, raportoi H1.

“Tek specat nga Maqedonia e Veriut janë gjetur mbetje të pesticidit formetanat. Rreziku është serioz”, thuhet në një deklaratë të Sistemit evropian për paralajmërim të shpejtë të ushqimit.

Formetanati është një insekticid jashtëzakonisht efektiv që përdoret në prodhimin e frutave dhe perimeve. Shumë vende ende e përdorin atë, por është e ndaluar në BE për shkak të dyshimeve se mund të ndikojë në shëndetin e njeriut.

Formetanati është shumë toksik nëse hyn në trup me rrugë orale, mesatarisht toksik nëse thithet dhe ka toksicitet të ulët akut nëse aplikohet në lëkurë, shtohet në lajmin e H1.

Shenjat klinike pas ekspozimit akut dhe kronik ndaj formetanatit tek minjtë janë reduktimi i peshës trupore, dhe te qentë pështyma e tepërt, vështirësi në frymëmarrje, dridhje, të vjella, kollitje.