Përgatitja e ligjit për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile drejt fundit, Lloga: Pa të nuk ka luftë kundër krimit dhe korrupsionit

Pa ligjin për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm, nuk mund të kemi luftë kundër krimit dhe korrupsionit, theksoi ministri i Drejtësisë Krenar Loga gjatë takimit të sotëm, të fundit në një sërë takimesh të grupit punues që është duke përgatitur që nga muaji i kaluar këtë ligj, transmeton Portalb.mk.

Propozues i ligjit është Ministria e Drejtësisë, ndërsa me Grupin punues  kryeson Sllavica Grkovska, Zëvendës i Kryeministrit të Qeverisë përgjegjës për politikat për qeverisje të mirë.

Me këtë  ligj do të pamundësohet disponimi me pasuri dhe përfitime pasurore e cila nuk mund të dëshmohet se është fituar nga burime të ligjshme, gjë që i bën të padobishme veprimet e kundërligjshme dhe mundëson luftë efektive kundër krimit dhe korrupsionit.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga para anëtarëve të pranishëm të Grupit të punës  theksoi se, ky ligj është i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe pa të, nuk mund të zbatohet lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Çështja e procedurës së rregulluar me këtë ligj  përfshin pasurinë brenda ose jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut, që është në pronësi të personave fizik dhe juridik.

Me këtë  ligj mundësohet njohja dhe ekzekutimi i vendimeve të huaja për konfiskim në procedurë civile, si dhe bashkëpunim ndërkombëtar me organe kompetente me qëllim të pamundësimit për të disponuar me pasuri e cila nuk është fituar nga burime të ligjshme.

Kusht për fillimin e procedurës për përcaktimin e pasurisë, fitimi i së cilës nuk mund të vërtetohet se është nga burime të ligjshme në përputhje me këtë ligj është nëse:

  1. a) ekziston dyshimi i arsyeshëm se ekziston pasuri, fitimi i së cilës nuk mund të dëshmohet se është nga burime të ligjshme, dhe
  2. b) vlera neto e pasurisë, fitimi i së cilës nuk mund të dëshmohet se është nga burime të ligjshme, tejkalon 30.000 euro në kundërvlerë të denarit sipas kursit mesatar të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Autoriteti kompetent për mbledhjen e të dhënave për pasuri, fitimi i të cilës nuk mund të vërtetohet se është nga burime të ligjshme, është Drejtoria e Policisë Financiare, e cila mund të dorëzojë iniciativë deri te Avokati i Shtetit për përcaktimin e masës për sigurimin e pasurisë.

Teksti i Propozim Ligjit  do t’i dërgohet për mendim Komisionit të Venecias dhe Komisionit Evropian.

Kujtojmë se kërkesa për konfiskimin dhe evidentimin e pronës së zyrtarëve të korruptuar, ka bërë në vazhdimësi edhe Komisioni Evropian, dhe të njëjtën e përsëriti edhe në raportin e 19 tetorit të vitit të kaluar. Në të thuhet se në vitin 2020, konfiskimi i pasurive kriminale është zbatuar ndaj 41 personave në 19 raste në aktgjykime të shkallës së parë. Sipas raportit, konfiskimi i pasurive kriminale duhet të bëhet përparësi strategjike në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit të nivelit të lartë në vend. Mjetet e vendit për ngrirjen, menaxhimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale sipas BE-së nuk janë mjaft efektive, prandaj nevojitet një fokus i vërtetë për të ardhurat kriminale të personave publik.