“Nuk kërkojmë favor, por zbatimin e ligjit”, ka tre muaj që sportistet me medalje botërore nuk kanë marrë bursat
Katër sportiste që në qershor fituan medaljen e bronztë për Maqedoninë e Veriut në Kampionatin Universitar Botëror të Sporteve Luftarake, ende presin mbështetjen financiare që u takon për këtë rezultat, shkruan Portalb.mk.
Rudina Aliu, Gresa Mustafai, Jovana Micovska dhe Viktorija Jovanovska, edhe pas rreth tre muajsh të suksesit në gara ndërkombëtare, nuk kanë marrë një përgjigje konkrete se kur do të realizohet pagesa e cila u takon sipas ligjit. Ato bashkë me ekipin e meshkujve që korrën medalje të argjenda dhe të bronzta, kërkojnë nga institucionet të sqarojnë se ku ka ngecur procedura dhe çfarë e ka shkaktuar vonesën.
Rudina Aliu, për Portalb.mk, tha se ata kishin nderin të përfaqësonim Maqedoninë e Veriut në Kampionatin Universitar Botëror të Sporteve Luftarake, një nga ngjarjet më të rëndësishme universitare të sporteve luftarake në nivel botëror. Ajo tha se ekipi kombëtar i femrave, Rudina Aliu, Gresa Mustafa, Jovana Micovska dhe Viktorija Jovanovska, kanë arritur një sukses historik, duke u ngjitur në podium dhe duke fituar medaljen e bronztë për Maqedoninë e Veriut. Në të njëjtën garë, siç tha ajo edhe ekipi i meshkujve arriti një rezultat të jashtëzakonshëm, duke u renditur në vendin e dytë dhe duke fituar medaljen e argjendtë.
“Pas këtij suksesi, për ne është paraparë një bursë e konsiderueshme në bazë të ligjit në fuqi, e cila, sipas rregullave përkatëse, kap vlerën e afërsisht dy pagave mesatare për një periudhë prej katër vitesh për secilin sportist që plotëson kriteret”, u shpreh Aliu.
Aliu ngrit shqetësimin se pse pas afro tre muajsh, ende nuk kemi marrë një përgjigje konkrete? Sipas saj, ata i përmbushin kriteret përkatëse dhe sportistë të mëparshëm që kanë arritur rezultate të ngjashme kanë përfituar nga kjo e drejtë.
“Për këtë arsye, presim nga institucionet përgjegjëse një sqarim të qartë: ku qëndron problemi, pse po vonohet procedura dhe kur pritet të merret një vendim? Nuk po kërkojmë një favor. Po kërkojmë zbatimin e asaj që parashihet me ligj”, nënvizoi ajo.

Rudina foli edhe për përkrahjen e vogël që marrin sportistët në vendin tonë, duke theksuar mbështetjen siprëfaqësore që politkanët japin për sportistët.
“Është shumë e lehtë të dalësh në fotografi me një sportist pasi ai të ketë fituar medalje. Është e lehtë të publikosh një urim në rrjetet sociale, të shkruash disa fjalë për krenarinë që na sjellim vendit dhe të flasësh për suksesin e sportistëve. Por sporti nuk funksionon vetëm me fotografi dhe urime. Pas çdo medaljeje qëndrojnë vite të tëra stërvitje, sakrificë, shpenzime, udhëtime, lëndime, ditë të lodhshme dhe shumë momente kur sportisti duhet të zgjedhë mes jetës personale dhe ëndrrës së tij”, tha në fund Rudina Aliu.
Sa i përket vonesës së pagesës së bursës ndaj sportistëve, Portalb.mk, iu drejtua edhe Ministrisë së Sportit. Nga atje u përgjigjen shkurt dhe thanë se procedura është në shqyrtim pa ndarë më shumë detaje.
“Procedura është në vazhdim, autoritetet në Ministrinë e Sportit janë në komunikim me Federatën Botërore të Universiteteve”, thanë nga Ministria e Sportit.
Ndryshe, ekipet e Maqedonisë së Veriut, shpeshherë kanë marrë vende dhe medalje në gara ndërkombëtare në sporte të ndryshme. Derisa sportistët vazhdimisht janë ankuar për mungesën e mbështetjes së duhur nga ana e institucioneve vendore.
Nga ana tjetër, me vite të tëra salla Partizani në Çair po qëndron e demoluar dhe e pa përdorshme, derisa paralajmërimet për renovimin e saj po zvarriten. Së fundmi aty kishte edhe mbeturina të cilat hidheshin nga persona të panjohur. Paralajmërimi për rikonstruimin e sallës Partizan në Çari, u bë më 17 shtator 2024 në seancën e 20-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe miratimin e Programit për ndërtimin dhe rekonstruktimin e objekteve sportive për vitin 2024 nga ana e Ministrisë për Sport. Derisa rikonstruimi i plotë është paralajmëruar se do të kushtojë 1.5 milion euro. Salla është shndërruar në çerdhe e shpezëve ndërsa të rinjtë e shfrytëzojnë për drift me motoçikleta por edhe për grafite.
- LEXO: Rudina Aliu në #TROÇ flet për vajzat që merren me sporte luftarake
- LEXO: Salla “Partizani” në Çair pritet të jetë gati për 2 vjet, Qeveria planifikoi 100 milionë denarë investime
- LEXO: Mbi 35 milionë denarë sivjet do të investojë Qeveria e Maqedonisë së Veriut në objekte sportive
- LEXO: E tmerrshme gjendja në sallën sportive “Partizani” në Çair, Komuna premtoi zgjidhje të problemit