Në kohën kur të gjitha çmimet rriten, teatrit i ulet ‘’pazari’’ nga Ministria e Kulturës

Në kohë krizash nuk duhet të jetë kultura ajo që sakrifikohet e para, por përvoja flet të kundërtën, flet buxheti që Ministria e Kulturës e ndan si buxhet vjetor për teatrot. Edhe ashtu, që nga koha e pandemisë vazhdimisht kishte ankesa nga drejtuesit e teatrove që përpiqeshin të rikthenin të paktën si ka qenë më herët buxheti, por lere që nuk është kthyer, nga vitit në vit vetëm është zvogëluar, ndërsa sivjet kjo ndarje ka revoltuar drejtuesit e teatrove, të cilët janë deklaruar për Portalb.mk në vijim

Ndarja e buxhetit vjetor për teatrot shqiptare në vend ka ngjallur debat e pakënaqësi mes komunitetit artistik. Vjet teatrot kanë shkrirë buxhetet e dy shfaqjeve për të shpëtuar një me shumë vështirësi. Logjika e Ministrisë së Kulturës ‘’të gjithëve nga pak’’ që përdoret shumë shpesh te botimet dhe sferat tjera të kulturës, në teatër nuk funksionon, pasi siç e dimë një shfaqje nuk kushtëzohet vetëm nga letra, por është një ndërmarrje e madhe që përfshin kostumografi, skenografi, rekuizita bashkë me pajisjet dhe njerëzit e profesionalizuar për këto fusha. Në kohën kur të gjitha çmimet rriten, në teatër ndodh paradoksi interesant që të lë gojëhapur, çmimet jo që nuk ngelen ato, por tashmë janë zvogëluar trefish më pak nga ato që dikur edhe ashtu nuk kënaqnin nevojat e një shfaqeje të kompletuar. Ditë më parë ishte festa ndërkombëtare e teatrit, po për të mos e prishur magjinë ne po sjellim tani prononcimet e drejtorëve të teatrit lidhur me ndarjen e buxhetit për këtë vit. Me sa shfaqje kanë konkurruar, sa u janë mbështetur dhe sa pritet të realizohen?

Adem Karaga, Fotografi personale nga rrjetet sociale
Adem Karaga, Fotografi personale nga rrjetet sociale

Adem Karaga – drejtor i Teatrit Shqiptar të Shkupit

‘’Projektet me të cilat kemi konkurruar janë :

Rikardi i III- Shekspiri me regji të Kushtrim Bekteshit që është vlerësuar me një buxhet trefish me të ulët se ai që kemi kërkuar.

‘’Derisa vdekja të na ndajë ‘’ Mira Furllan me regji te Kushtrim Koliqit që është vlerësuar me 60 përqindëshin e asaj që nevojitet dhe kishim kërkuar.

Ishte në plan të punonte regjisori Spiro Duni, por buxheti ishte i pamjaftueshëm për shfaqjen.

Nga regjisorja Nasim Ahmadpour, po ashtu është në plan që të punohet vepra ‘’ Anglia ‘’ nga Tim Krouch.

Teatri u është drejtuar të gjithë regjisorëve me sqarim se për çfarë buxhetesh bëhet fjalë dhe se a do kishin punuar me ato buxhete. Dy regjisorë automatikisht hoqën dorë, ata ishin Kushtrim Koliqi dhe Spiro Duni. Në këtë fazë, teatri ka dërguar kërkesë deri te Ministria e Kulturës për rialokim mjetesh, përkatësisht mjetet që janë ndarë për shfaqjet e Koliqit dhe Dunit të përdoren për shfaqjet që ngelen në program, për shfaqjet e Bekteshit dhe Ahmadpour si dhe mjete materiale për punën e teatrit, për shkak të mungesës së shumë punonjësve dhe mbulesës së shpenzimeve bazë që ka teatri.

Një gjë që na dhemb dhe po përsëritet viteve të fundit është ose mospasja e buxhetit fare, ose një buxhet minimal për investime që lidhet drejtpërdrejt me mirëmbajtjen e objektit dhe ne, pos që jemi të privuar për ta plotësuar pajisjen e teatrit që e kërkon teknologjia nga viti në vit, ne as nuk mundemi ta mirëmbajmë atë që e kemi shumë të mirë, të re, nga viti 2019 e që duhet patjetër të servisohet çdo vit dhe ne nuk e kemi këtë mundësi dhe kështu fillon zinxhiri i problemeve apo si domino- efekt një pas një na ndodhin edhe probleme për shkak të këtij mos – servisimi dhe për shkak të mos ndarjes së buxheteve për këto qëllime.

Sa i përket Festivalit Mbarëkombëtar ‘’Moisiu’’ që sivjet mbahet në Prishtinë, edhe aty nuk do mund të jemi pjesë e bashkëprodhimit as në përgatitjen e shfaqjes e as të festivalit, as në ndarjen e çmimeve, pasi mjetet që na janë ndarë ndoshta nuk do të mjaftojnë as për pjesëmarrjen e teatrove nga Maqedonia ‘’

Abdulla Osmani, Fotografi personale nga rrjetet sociale
Abdulla Osmani, Fotografi personale nga rrjetet sociale

Abdulla Osmani – drejtor i Teatrit të Tetovës;

Teatrit të Tetovës për vitin 2024 i janë ndarë tri shfaqje dhe i është përkrahur festivali. Shfaqjet që janë aprovuar nga ana e ministrisë janë:

‘’Pacienti i doktor Frojdit’’ nën regji të Gent Çajanit me shumë.

‘’Magjistari i Ozit’’ nën regji të Kushtrim Bekteshit dhe shfaqja e tretë në gjuhën maqedonase nën regji të Andrej Cvetanovskit. Duke i pasur parasysh mungesat e teatrit dhe madhësinë e shfaqjeve, me këto vlera është shumë e vështirë që të realizohen këto shfaqje.

Teatri i Tetovës ka bërë kërkesë që të ndërrohet njëri tekst me mundësinë që të realizojmë projekt tjetër me këto shuma, ndërkaq për projektet tjera pas mbarimit të zgjedhjeve do të kërkojmë që shumat për këto shfaqje të rriten që të mund t’i realizojmë shfaqjet në mënyrë dinjitoze dhe ashtu siç e meriton publiku tetovar.

Ndërkaq, Teatri i Tetovës për herë të parë do të bashkëpunojë me Universitetin e Tetovës duke bërë një lloj bashkëpunimi në përgatitjen e shfaqjes së diplomës që e kanë në përfundimin e studimeve studentët e aktrimit, ku shfaqja pas premierës do të jetë pjesë e repertorit të Teatrit të Tetovës.

Sulejman Rushiti Fotografi personale, nga rrjetet sociale
Sulejman Rushiti, Fotografi personale nga rrjetet sociale

Sulejman Rushiti – drejtor i Teatrit të Gostivarit:

‘Teatri i Gostivarit duke analizuar kapacitetet, mundësitë dhe nevojat për të qenë më afër spektatorit, për ta rritur numrin e të njëjtit e sidomos duke patur parasysh përvojën e kaluar hartoi dhe propozoi deri te komisioni për dramë pranë Ministrisë për Kulturë propozim program për këtë vit.

Pas analizave të gjata, këshillimit me 11 aktorët e punësuar dhe me këshillin artistik ne dorëzuam pesë propozim- projekte, me renditje prioritare si vijon:

’’ Cilindri’’ nga Edhardo de Filipo me regji të Afërdita Nuhijt (Shqip),

‘’I sëmuri për mend’’ nga Molieri në regji të Hercin Çulit (Shqip),

‘’Shërbëtori i dy partive’’ nga Sasho Kokallanov me regji të Besfort Idrizi( Maqedonisht, shqip dhe turqisht),

‘’Zonjusha Zhuli’’ nga Steindberg me regji të Petrit Neziri ( Shqip),

‘’Manijak ‘’nga Ratko Bjelciq me regji nga Eleonora Toeva.

Duke patur parasysh se në vitin 2023 ishim të përkrahur për 3 projekte ndërsa 2 i bëmë me kontribut vetanak dhe me sponsorizime. Mënyra e tillë voluntariste e përzgjedhjes duke përmbysur prioritetet e teatrit, ka krijuar një propozim- program të parealizueshëm. E para për shkak se shfaqja e parë në prioritet është shfaqje e madhe që nuk realizohet me gjysëm buxheti (regjisorja nuk pajtohet me këtë buxhet) dhe nga ana tjetër projekti i fundit në prioritet ishte si alternacion me shfaqjen e propozuar në tri gjuhë sepse ne kemi vetëm tre aktorë që flasin maqedonisht dhe nuk kemi kapacitet të bëjmë dy projekte në gjuhën maqedonase pa angazhuar aktorë të jashtë, për çka nuk mjafton buxheti i propozuar në program. Edhe duhet të ndryshojë sistemi i përcaktimit të buxhetit, duhet të hiqen komisionet pasi prej këtu fillojnë problemet. Duhet me formulë numër banorësh të lëshojnë mjete që të krijojmë vetë repertor. Trajtimi i teatrove ose më saktë i Teatrit të Gostivarit është vendosur më poshtë se projektet e organizatave joqeveritare që bëjnë aktivitete ditore, ndërsa ne duhet të funksionojmë me vite me repertorin që përgatisim. Nëse ka krizë duhet të shkurtohen fondet gjithandej, nuk mundet të sakrifikohet Teatri në Gostivar për Teatrin në Manastir ‘’

Mendim Murtezi, Fotografi personale, nga rrjetet sociale
Mendim Murtezi, Fotografi personale nga rrjetet sociale

Mendim Murtezi- drejtor i Teatrit të Kumanovës:

‘’Teatri i Kumanovës është në një situatë tejet të vështire për shkak të buxhetit të shfaqjeve që është përgjysmuar si asnjë vit me parë. Kemi për t’i realizuar dy shfaqje:

“Burrat me papuçe” autor Miro Gavran ,me regji të Marigona Bekteshi Ferati, ku jemi edhe para premierës.

“Letra” autor Tankred Dorst ,me regji të Nehat Memetit.

Këtë vit me se paku kemi mjete financiare, më herët janë realizuar edhe tri shfaqje. Realisht këto projekte i kam trashëguar nga udhëheqësia e kaluar, si konkurrim në Ministrinë e Kulturës, unë vetëm i kam selektuar.’’

Të gjithë drejtuesit e teatrit thonë të njëjtën gjë që sa kohë. Trajtimi përçmues po ia ul vlerën teatrit shqiptar në Maqedoninë e Veriut duke e kthyer atë në një pazar të zakonshëm, për të cilin ndahen vlera aspak në përputhje me kërkesat dhe nevojat e shfaqjeve. Sidoqoftë, do të ngelim në kontakt për teatrot që kanë bërë ankesa për të parë se ç’përgjigje kanë marrë dhe domosdo do ju njoftojmë paraprakisht kur të fillojë realizimi i programit të tyre.