Në katër komuna të RMV-së u mbajtën zgjedhjet e përsëritura për kryetarë: Dolën rezultatet e para, partitë shpallën fitore, gjithçka që ndodhi
Në Maqedoninë e Veriut sot u mbajtën zgjedhjet e përsëritura për kryetarë në katër komuna: Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë&Rostushë dhe Qendër&Zhupë. Zgjedhjet u përsëritën për shkak se në rrethin e parë të zgjedhjeve të rregullta të mbajtura në tetor nuk u arrit pragu i daljes së një të tretës së votuesve apo 33,33%. Në Gostivar pjesëmarrja ishte 33.31 %, në Vrapçisht 25.18%, në Mavrovë&Rostushë 30.31% dhe në Qendër Zhupë 21.49%. Në zgjedhjet e përsëritura nuk vlen pragu i daljes prej një të tretës së votuesve, shkruan Portalb.mk.
Më poshtë mund të ndiqni të gjitha zhvillimet e ditës së zgjedhjeve minutë pas minuti. Klikoni linkun për të lexuar detajet për secilin titull.
22:40 – LSDM: Mickoski është në panik, opozita fitoi dyfishin e votave se qeveria
21:14 – Zulhajrat Demiri pas humbjes në Vrapçisht: Populli ka të drejtë edhe nëse merr vendim të gabuar
20:44 – Kandidati i vetëm në Qendër Zhupë, Arjan Ibrahim, mori 973 vota nga 100% të numëruara
20:38 – BDI dhe ASh-ja shpallën fitore në zgjedhjet e përsëritura në Gostivar dhe Vrapçisht
20:07 – Isen Shabani shpalli fitore në Vrapçisht: Jemi mbi tre mijë vota në epërsi
19:50 – Valbon Limani: Fitojmë, gostivarasit nuk lejojnë që të jenë viktimë e presioneve politike
19:15 – Zgjedhjet e përsëritura në RMV: Deri ora 18:30 kanë votuar 28,07% e votuesve
17:55 – Zgjedhjet e përsëritura në RMV: Deri ora 17 kanë votuar 25,55% e votuesve
13:51 – 8,90% është dalja e votuesve në katër komuna të RMV-së deri në orën 13:00
11:55 – Deri në orën 11:00 votuan 3.32%, dalje më e lartë në Mavrovë Rostushë dhe më e ulët në Qendër Zhupë
10:07 – 1.11% është dalja e votuesve deri në orën 9:00, një vendvotim nuk është hapur fare
07:00 – U hapën kutitë, filloi votimi. Të drejtë vote në Gostivar kanë 82.870 qytetarë, në Vrapçisht 27.279, në Mavrovë&Rostushë 10.575 dhe në Qendër&Zhupë të 7.562.
Heshtje zgjedhore
Heshtja zgjedhore është në fuqi ende, ajo fillon një ditë para zgjedhjeve. Heshtja mbaron në ora 19, kur mbyllen kutitë në ditën e votimeve. Kjo nënkupton se propaganda, agjitimi partiak, fushata dhe shkelje tjera të Kodit Zgjedhor janë rreptësishtë të ndaluara.
Votuan personat e burgosur të sëmurë dhe të pafuqishëm
Dje (10 janar) votuan personat e sëmurë, të pafuqishëm dhe të burgosur. Të drejtë vote patën 342 qytetarë në katër komunat.
Sipas të dhënave që janë dërguar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, dje deri në orën 19:00, nga gjithsej 94 persona të paraqitur për votim në entet ndëshkimore përmirësuese, kanë votuar 45 persona.
Nga gjithsej 248 persona të sëmurë ose të pafuqishëm, për votim në të katër komunat, Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë&Rostushë si dhe Qendër&Zhupë, deri në orën 19:00, të drejtën e votimit e kanë realizuar gjithsej 242 persona. Në Qendër& Zhupë kanë votuar 2 persona, në Mavrovë&Rostushë kanë votuar 66 persona, në Vrapçisht kanë votuar 31 persona dhe në Gostivar 143 persona
Rezultati i rrethit të parë dhe dytë
Zgjedhjet e teta lokale në RMV u mbajtën në vjeshtën e vitit 2025, rrethi i parë u mbajt më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë me 2 nëntor.
Në rrethin e parë u zgjodhën 44 kryetarë komunash, në raundin e parë VMRO-DPMNE fitoi 33 komuna, VLEN 5, AKI 3 dhe LSDM 3.
Në rrethin e dytë VMRO-DPMNE fitoi 21 komuna dhe Qytetin e Shkupit, Vlen 4, LSDM 3, AKI 1, ZNAM 1, Unioni i Romëve 1 dhe Mendi Qyra i përkrahur nga VLEN.
- LEXO: Rezultatet e rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale 2025 në RMV (Infografik)
- LEXO: Rezultati final i rrethit të parë të zgjedhjeve lokale në RMV (Infografik)
- LEXO: Gjithçka që ndodhi: Maqedonia e Veriut votoi në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, u publikuan rezultatet jozyrtare
- LEXO: U mbajt rrethi i parë i zgjedhjeve lokale 2025 në RMV, gjithçka që ndodhi