Një vendvotim nuk u hap në Gostivar, zëdhënësi i KSHZ-së: Votimi do të përsëritet nëse ndikon në rezultat

Një vendvotim në Gostivar nuk është hapur fare për shkak të reshjeve të borës të cilat kanë pamundësuar arritjen e anëtarëve të këshillit zgjedhor në vendvotim, raporton Portalb.mk.

Votimi sot nuk u realizua në vendvotimin 0782 në fshatin Qafë të Komunës së Gostivarit ku të drejtë vote kanë 23 qytetarë.

Zëdhënësi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Admir Shabani ka thënë se votimi mund të përsëritet nëse ndikon në rezultatin e përgjithshëm.

“Aty kuptohet nuk ka votime dhe do të shohim në fund kur do të numërohen rezultatet se numri i përgjithshëm të regjistruar në këtë vendvotim a do të ndikojë në rezultatin e përgjithshëm. Në qoftë se ndikon, atëherë përsëriten votimet në këtë vendvotim,” tha Shabani.

Vonesa ka pasur edhe në disa vendvotime tjera në komunat ku mbahen zgjedhjet e përsëritura.

Atje ku ka pasur vonesa ishte më pak se një orë, procesi i votimit do të mbyllet në ora 19.

Ndërsa atje ku vonesa ishte më shumë se një orë, por më pak se tre orë, votimi do të vazhdohet për aq kohë sa kanë qenë të mbyllura.

Zgjedhjet e përsëritura për kryetarë mbahen në katër komuna: Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë&Rostushë dhe Qendër&Zhupë. Zgjedhjet përsëriten për shkak se në rrethin e parë të zgjedhjeve të rregullta të mbajtura në tetor nuk u arrit pragu i daljes së një të tretës së votuesve apo 33,33%. Në Gostivar pjesëmarrja ishte 33.31 %, në Vrapçisht 25.18%, në Mavrovë&Rostushë 30.31% dhe në Qendër Zhupë 21.49%. Në zgjedhjet e përsëritura nuk vlen pragu i daljes prej një të tretës së votuesve.