LSDM: Mickoski është në panik, opozita fitoi dyfishin e votave se qeveria

Pas zgjedhjeve të sotme lokale të përsëritura, LSDM-ja nuk arriti të fitojë në komunën e vetme që garoi, Mavrovë Rostushë. Ata reaguan duke thënë se kryeministri Hristijan Mickoski duhet të ketë qenë në panik të madh kur thirri konferencë për shtyp sonte për t’u mburrur se opozita fitoi më shumë vota se partitë në pushtet, transmeton Portalb.mk.

Nga LSDM-ja thanë se edhe me të gjitha abuzimet e mundshme të institucioneve dhe presionet, kandidatët për kryetarë komune nga partitë në opozitë fituan dyfishin e votave se kandidatët nga partitë në pushtet.

“Opozita fitoi dyfishin e votave, 21,394 vota dhe qeveria vetëm 12,534 vota. Përfundimi është i thjeshtë, qeveria e VMRO-së, VLEN dhe ZNAM humbi sonte dhe atë bindshëm”, thanë nga LSDM.

Sipas 99,07% të votave të numëruara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), në zgjedhjet e përsëritura për kryetarë të katër komunave, koalicioni AKI fitoi dy komuna, VMRO-DPMNE dhe Partia Demokratike e Turqve fituan nga një.

Rezultatet e para zyrtare do të shpallen gjatë ditës së nesërme.

Zgjedhjet e përsëritura për kryetarë u mbajtën në katër komuna: Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë&Rostushë dhe Qendër&Zhupë. Zgjedhjet përsëriten për shkak se në rrethin e parë të zgjedhjeve të rregullta të mbajtura në tetor 2025 nuk u arrit pragu i daljes së një të tretës së votuesve apo 33.33%.

Në Gostivar pjesëmarrja ishte 33.31 %, në Vrapçisht 25.18%, në Mavrovë&Rostushë 30.31% dhe në Qendër Zhupë 21.49%. Në zgjedhjet e përsëritura nuk vlen pragu i daljes prej një të tretës së votuesve.