Në industrinë e Maqedonisë së Veriut, në disa sektorë kemi ulje të çmimeve e në disa rritje

Në prill të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut është regjistruar ulje e çmimit të disa produkteve në industri, derisa në përgjithësi kemi rritje të çmimeve, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë muajit prill 2023, Indeksi i çmimeve të shitjes së prodhuesve të prodhimeve industriale totali, janë më të larta për 0.4 % në nivel mujor dhe për 1.6 %, në nivel vjetor”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Ulje më e theksuar e çmimeve është regjistruar në miniera e gurorë, ndërsa rritje më e madhe në energjetikë.

“ Në muajin prill 2023, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, çmimet e shitjes së prodhuesve të prodhimeve industriale totali, janë më të ulëta në sektorin Miniera dhe gurorë për 9.8 %, ndërsa në sektorin Industria përpunuese janë më të larta për 1.6 % dhe në sektorin Furnizime me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar për 17.1 %”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Në krahasim me prillin e kaluar, ulje më e theksuar është regjistruar te prodhimi i metaleve (22.2 %), ndërsa rritja më e madhe te prodhimi i veshjeve (33.8%).