Në fundjavë MPB ndaloi 20 persona në festivalin e Dojranit, tek të cilët është gjetur drogë

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se gjatë fundjavës së kaluar janë ndërmarrë masa të intensifikuara gjatë mbajtjes së manifestimit muzikor në Star Dojran, me qëllim zbulimin e veprave penale dhe kundërvajtjeve në fushën e trafikimit të paligjshëm të drogës, transmeton Portalb.mk.

Këtë fundjavë – nga e premtja deri të dielën – D Festival u mbajt në Dojran për të trembëdhjetën herë me mijëra të pranishëm.

Në aktivitetet policore të festivalit ishin të përfshirë edhe zyrtarë nga SPB Strumicë dhe Njësia për Trafikim të Paligjshëm të Drogës në SPB Shkup.

Njëkohësisht, njoftoi MPB-ja, njëzet persona janë privuar nga liria, ndërsa gjatë kontrollit u janë gjetur droga të ndryshme. Nga njëzet, një ishte shtetas grek.

Për rastet është njoftuar prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Gjevgjeli dhe pas dokumentimit të tyre janë ngritur denoncime përkatëse.

“Këto kontrolle të përforcuara, përveç sanksionimit të duhur të kësaj lloj vepre penale, synojnë edhe parandalimin e shitjes dhe përdorimit të paligjshëm të lëndëve narkotike tek të rinjtë, si vizitorët më të shpeshtë të këtij lloj aktivitetesh muzikore”, than nga Ministria e Brendshme.