Kurbani post festum: Nga forma te thelbi

Javën e kaluar kremtuam Bajramin. Të voglin apo të kurbanit. Festën e sakrificës historike të Ibrahimit që mëton të mbajë gjallë te ne ndjenjën e flijimit dhe atë të afrimit me të tjerët. Së pari për dhe me Zotin, më pas me familjen, me fqinjët, farefisin, me bashkëbesimtarët, por edhe me njeriun në përgjithësi. Është festë e që lidhet me haxhin, arifenë, me kurbanin. Me shpërndarjen në favor të kategorive sociale në nevojë dhe më gjerë, me ndarjen, me shkëputjen e diçkaje që është e jona për t’ia falur tjetrit, që edhe ai të gëzohet. Shikuar nga sociologjia e fesë, një nga qëllimet kyç të këtij veprimi fetar është maksizmizi i gëzimit dhe lumturia, shoqërizimi i mirëqenies. Kurbani, vetë fjala në origjinal flet, afrim (ar. kurbeh).

Është adhurim përplot ndjenja shpirtërore e gëzim. Ëmbëlsira, sheqerka, vizita. Ditë e takimeve dhe komunikimit me njerëzit nga të cilët jeta moderne na ka larguar apo tjetësuar goxha. Është rit i risocializimit, i shoqërizimit me të moshuarit, të rinjtë, fëmijët; momentum i ngulitjes në kokën e fëmijëve këto çaste të haresë masovike, i këtij hepeningu hyjnor, ku ka vetëm mirësi, bukuri, estetikë, vlera. Shtëpi të rreguluara për qejf, rroba të reja apo të pastra, parfumë, dukje impozante nga jashtë dhe lumturi e brendshme në shpirt. Atmosferë tjetërfare. Thyerje e vijës së kohës së obligimeve, punës, performancës, interesave. Kohë e rikthimit në pafajësinë tonë si specie që dimë të dalim taktit, të humbemi në përditshmërinë e jetës, të biem në kënetën e shëmtirave.

Është tërësi e çasteve që s’duam të kalojnë, duam çdo ditë të jetë e tillë. Për këtë arsye një nga lutjet që përdorim në bashkëbisedimet tona shkrimore gjatë këtyre ditëve është ‘Çdo ditë e juaja qoftë bajram!’ Dhe për besimtarin vërtet çdo ditë është bajram kur ai nuk bën gabime, kur “nuk sharron”, kur ruan harmoninë me ligjin e universit, me atë të natyrës, me ligjin hyjnor që e mbron njeriun nga qafëthyerja. Bajrami është frymë që duhet të ruajmë, sepse është është kulturë nga e cila mund të përfitojnë të gjithë.

Atë nuk duhet trajtuar apo perceptuar vetëm në jashtësinë e vet. Assesi vetëm si prerje e një kafshe, gjë të cilën për fat të keq e bëjmë. Gjithë përqendrimi është te dashi, delja apo gjedhi. Në fakt para prerjes duhet bërë ca ndërprerje, ca shkëputje. Duhet ndryshuar klimën e brendshme tonën. Duhe përgatitur dhe disiplinuar veten. Sa bukur e ka shprehur këtë poeti dhe shkrimtari turk me frymë aventuriere, sipërmarrëse, Xhahit Zarifogllu (1940-1987), një nga “Shtatë Njerëzit e Bukur”.

“E pyeta: Mjeshtër çfarë të pres për Bajram?”

“Së pari, ndërprit përgojimim, ngrënien e hakut të njeriut

Ndërprit gënjeshtrën, ngrënien e haramit

Nepotizmin, shpërdorimin, konsumerizmin

Ndërprit raportet me të keqen.

Nëse nuk i ndërpret këto, kot e ke!

Pre çfarë të duash, s’ke dobi!”  

 

“Mjeshtër, çfarë të marr për Bajram?”

“Merre zemrën e një plaku,

Buzëqeshjen e një fëmije

Merre lutjen e disa të varfërve!”

Sa bukur do ishte që këto fjalë t’i lexojmë e t’i rilexojmë, t’i shkruajmë e t’i rishkruajmë dhe në bazë të tyre të organizojmë parafestën dhe pasfestën tonë, të ndryshojmë kursin tonë të jetës, të formojmë një mënyrë jetese ndryshe. Një fetari ndryshe, jo të formës por të thelbit. Një fetari me kurs të vetëdisiplinimit. Pa fjalë të kota, përgojime, pa dallavere, pa rrena, pa manipulime, pa favorizime familjarësh, pa harxhime të kota… Nëse Ramazani, bajrami, kurbani s’na ndryshojnë gjë në ditët e vitit në vijim, janë kot, janë trajtë pa kuptim, janë rit e nuk janë adhurim. Pa raporte të shëndosha me fëmijët, pleqtë, varfanjakët edhe në pjesën tjetër të vitit, kot janë sheqerkat, lekët e falura të vegjlive, kot janë përqafimet e urimet me më të vjetrit, kot janë trokitkjet në dyert e fukarenjve për t’i gëzuar. Bajramin e kemi vetëm formë nëse veturat i parkojmë ku të na teket, nëse hyjmë në të kuqe në semafor, nëse kolltukët e papërdorshëm i hedhim pranë kontenjerit, nëse pauzat e punës i zgjasim sa të duam, nëse djathin artificial e shesim për të bjeshkës, nëse groshën e Kirgizisë e shesim për të Tetovës, nëse domatet i skuqim me pluhur, nëse kërkojmë notë që s’e meritojmë dhe japim atë që s’e meritojnë, nëse brenda vitit s’lexojmë asnjë libër, nëse sillemi ndryshe kur ‘është shefi në vendin e punës, nëse nuk flasim me vëllain, nëse…

Bajrami dhe kurbani kanë kuptim vetëm nëse mesazhet e tyre i jetësojmë në çdo ditë të Zotit. Esencë, substancë, thelb, jo trajtë, aparencë, dukje!   Klima e bajramit na shoqëroftë gjithnjë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.