Ndryshimet e Kodit Zgjedhor në RMV, në seancën e sotme janë përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR
Në seancën e dhjetë të Grupit të Punës për ndryshimet dhe plotësimin e ligjeve që ndryshojnë procesin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, janë përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR. Të enjten do të jetë seanca e radhës e Grupit të Punës, transmeton Portalb.mk.
“Anëtarët e Grupit të Punës shqyrtuan rekomandimet e OSBE/ODIHR-it që rrjedhin nga ciklet e mëparshme zgjedhore, ku shumica e rekomandimeve për të cilat u arrit konsensus u pranuan dhe u përfshinë në mënyrë të përshtatshme në zgjidhjet e propozuara. U shqyrtuan gjithashtu propozimet e paraqitura nga partitë politike dhe institucionet kompetente shtetërore”, raportoi Ministria e Drejtësisë.
Në këtë seancë u shqyrtuan ndryshimet e Kodit Zgjedhor në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Agjenda Reformuese.
“Qëllimi i ndryshimeve të propozuara është harmonizimi i mëtejshëm i legjislacionit zgjedhor me standardet ndërkombëtare, forcimi i sigurisë ligjore, promovimi i transparencës së procesit zgjedhor dhe zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Kjo krijon kushte për forcimin e mëtejshëm të proceseve demokratike dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin zgjedhor”, vlerësoi Ministria e Drejtësisë.
Ndryshe, Ministria e Drejtësisë në fillim të qershorit njoftoi se reformat zgjedhore po hyjnë në fazën përfundimtare.
Më datë 29.03.2026 përfaqësuesit e LSDM-së në grupin punues për ndryshimin e Kodit Zgjedhor nuk u paraqitën në takimin e katërt të këtij organi që udhëheq procesin e përgatitjes së ndryshimeve në kuadër të MD-së. Kështu, LSDM-ja në një farë mënyre shprehu dhe realizoi protestën sepse shumica e qeverisë votoi në Kuvend ndryshimet e Ligjit për Qeverinë teknike, me të cilat e ashtuquajtura “Qeveri e Przhinës” e prezantuar për zgjedhjet e vitit 2016 nuk do të ekzistojë më pas zgjedhjeve të ardhshme, si një lloj zgjidhjeje kalimtare për të dalë nga kriza e atëhershme politike.
Edhe pse ky veprim i LSDM-së u njoftua nga kryetari i partisë Venko Filipçe më 28.04.2026 dhe megjithëse reagimet fillestare nga përfaqësuesit e partive të tjera ishin se trupi punues duhet të vazhdojë me ndryshimet e Kodit Zgjedhor, ende nuk është e qartë nëse ky vendim i LSDM-së është i një natyre të përhershme dhe afatgjatë. Por sidoqoftë, fakt është se grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë aktualisht funksionon dhe mund të vazhdojë të funksionojë pa përfaqësuesit e LSDM-së.
Në një kontekst të tillë, pjesëmarrja e përfaqësuesve të OJQ-ve në grupin e punës në të gjitha takimet e tyre dhe njohja me të gjitha ndryshimet e konceptuara dhe të propozuara të Kodit Zgjedhor brenda grupit punues, fiton edhe më shumë rëndësi. Sepse në këtë mënyrë sektori civil do të jetë një lloj kontrolluesi i të gjithë procesit dhe do të jetë në gjendje të marrë pjesë aktive dhe vazhdimisht me propozimet e tyre.
Përndryshe, Kodi Zgjedhor është një nga reformat e parapara që Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet ta përmbushë deri në fund të qershorit. Kodi është një nga 10 reformat që ndodhen në të ashtuquajturën “grejs periudhë”, një afat shtesë deri në 12 muajsh, që përfundon në fund të muajit.