Ministria e Drejtësisë: Reformat zgjedhore në RMV po hyjnë në fazën përfundimtare

Ministria e Drejtësisë njoftoi se reformat zgjedhore po hyjnë në fazën përfundimtare. Grupi i Punës për reformat në legjislacionin zgjedhor, thonë nga Ministria, mbajti sot mbledhjen e shtatë, në të cilën u shqyrtuan dhe analizuan propozimet, mendimet dhe vërejtjet e dorëzuara nga institucionet kompetente, partitë politike, organizatat e shoqërisë civile dhe palët e tjera të interesuara në procesin e përgatitjes së ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, transmeton Portalb.mk.

“Në mbledhje u konfirmua përparimi i deritanishëm në harmonizimin e zgjidhjeve ligjore me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, ndërsa anëtarët e Grupit të Punës zhvilluan një debat intensiv dhe konstruktiv për disa çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në transparencën, integritetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor. Ministria e Drejtësisë thekson përkushtimin dhe pjesëmarrjen aktive të të gjithë anëtarëve të Grupit të Punës dhe vlerëson se procesi po zhvillohet në frymën e dialogut, profesionalizmit dhe përgjegjësisë së përbashkët për avancimin e standardeve demokratike në vend”, thuhet në njoftim.

Reformat në legjislacionin zgjedhor përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të besimit në institucione dhe sigurimit të zgjedhjeve të drejta, të lira dhe demokratike, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet ndërkombëtare.

Mbledhja e radhës është caktuar për më 12 qershor, pas së cilës ndryshimet ligjore do të finalizohen dhe do të dërgohen për procedurë të mëtejshme.

Më datë 29.03.2026 përfaqësuesit e LSDM-së në grupin punues për ndryshimin e Kodit Zgjedhor nuk u paraqitën në takimin e katërt të këtij organi që udhëheq procesin e përgatitjes së ndryshimeve në kuadër të MD-së. Kështu, LSDM-ja në një farë mënyre shprehu dhe realizoi protestën sepse shumica e qeverisë votoi në Kuvend ndryshimet e Ligjit për Qeverinë teknike, me të cilat e ashtuquajtura “Qeveri e Przhinës” e prezantuar për zgjedhjet e vitit 2016 nuk do të ekzistojë më pas zgjedhjeve të ardhshme, si një lloj zgjidhjeje kalimtare për të dalë nga kriza e atëhershme politike.

Edhe pse ky veprim i LSDM-së u njoftua nga kryetari i partisë Venko Filipçe më 28.04.2026 dhe megjithëse reagimet fillestare nga përfaqësuesit e partive të tjera ishin se trupi punues duhet të vazhdojë me ndryshimet e Kodit Zgjedhor, ende nuk është e qartë nëse ky vendim i LSDM-së është i një natyre të përhershme dhe afatgjatë. Por sidoqoftë, fakt është se grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë aktualisht funksionon dhe mund të vazhdojë të funksionojë pa përfaqësuesit e LSDM-së.

Në një kontekst të tillë, pjesëmarrja e përfaqësuesve të OJQ-ve në grupin e punës në të gjitha takimet e tyre dhe njohja me të gjitha ndryshimet e konceptuara dhe të propozuara të Kodit Zgjedhor brenda grupit punues, fiton edhe më shumë rëndësi. Sepse në këtë mënyrë sektori civil do të jetë një lloj kontrolluesi i të gjithë procesit dhe do të jetë në gjendje të marrë pjesë aktive dhe vazhdimisht me propozimet e tyre.

Përndryshe, Kodi Zgjedhor është një nga reformat e parapara që Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet ta përmbushë deri në fund të qershorit. Kodi është një nga 10 reformat që ndodhen në të ashtuquajturën “grejs periudhë”, një afat shtesë deri në 12 muajsh, që përfundon në fund të muajit.