“Ndërtim urash me fjalë të urta”, është libri më i ri i publicistit Iljasa Salihu
Publicisti dhe autori Iljasa Salihu ka sjellë para lexuesve librin e tij më të ri, “Ndërtim urash me fjalë të urta (aforizma, këshilla dhe poezi)”, një vepër që ndërthur aforizmat me poezinë për të trajtuar tema shoqërore, njerëzore dhe morale, transmeton Portalb.mk.
Libri përmbledh mendime të urta, këshilla dhe kritika të shprehura përmes aforizmave, të cilat burojnë nga përvoja, vëzhgimi dhe reflektimi i gjatë i autorit. Përmes tyre, Salihu synon të nxisë mendimin kritik dhe vetëdijesimin, duke ndërtuar, siç e përshkruan ai, “ura mbi lumin e keqkuptimit”.
“Jo se nuk do të shkruaj edhe në të ardhmen, por edhe nëse nuk do të mund të shkruaja, besoj se gjërat më të rëndësishme që janë zier e përzier në pellgun e mendjes dhe në luginën e zemrës sime, tashmë i kam thënë dhe i kam shkruar, përmes të cilave mirëfilli mund ta kuptoni shqetësimin dhe synimin tim, po ashtu përmes tyre edhe personalitetin dhe karakterin tim. Në këtë libër, “Ndërtim urash me fjalë të urta (aforizma, këshilla dhe poezi)”, duke i shfrytëzuar gjinitë letrare, aforizmën dhe poezinë, jam munduar t’i them disa gjëra që në gjini të tjera plotësisht nuk do të mund t’i thosha. Sjelljet e njerëzve i kam përkthyer në fjalë dhe pastaj fjalët në këshilla dhe në kritika, prej të cilave mund të përfitojnë vetëm ata që vetes dhe rrethit ia duan të mirën. Falënderoj Zotin për botimin e librit të dymbëdhjetë, pastaj shokun tim të studimeve, me të cilin kurrë nuk i dobësuam lidhjet, Berat Dakaj dhe shtëpinë e tij botuese, “Armagedoni”, të cilët e morën përsipër botimin e këtij libri. Lexim të dobishëm!”, shkruan autori Salihu për botimin e këtij libri.
Artikulli i mëparshëm
Katy Perry do të performojë në Sunny Hill Festival në Prishtinë (Video)
Artikulli i ardhshëm
Sheshi Skënderbeu u mbush me libra, në Shkup u hap “Panairi i Librit Shqip”