Departamenti i Shtetit të ShBA-së ndau çmim për Elvis Shaqirin për përpjekje globale kundër racizmit
Dje, më 21 tetor, Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Kërkime dhe Analiza të Politikave – Romalitico, Elvis Shaqiri mori çmimin prestigjioz Global Drivers Against Racism (GARC), i cili iu dorëzua personalisht në Uashington në Departamentin e Shtetit nga Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Anthony Blinken, transmeton Portalb.mk.
Ky çmim prestigjioz në nivel botëror është një njohje e punës së tij të rëndësishme në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit rom në vendin tonë. Vetë çmimi nderon liderët e shoqërisë civile në mbarë botën, të cilët kanë treguar guxim, udhëheqje dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për avancimin e të drejtave të njeriut dhe luftimin e racizmit sistematik, diskriminimit dhe ksenofobisë në komunitetet e tyre. Udhëheqësit emërohen nga ambasadat dhe konsullatat e SHBA-së në mbarë botën, dhe gjashtë liderë zgjidhen çdo vit për kontribute të jashtëzakonshme në komunitetet e tyre.
Elvis Shaqiri u emërua nga Ambasada Amerikane në vendin tonë në shenjë vlerësimi për përpjekjet që ai bëri si individ dhe si organizatë për të luftuar diskriminimin, promovimin e barazisë dhe sigurimin e qasjes në të drejtat themelore të njeriut për romët.
“Lufta jonë për barazi vazhdon duke përmirësuar qasjen në arsim, strehim, punësim dhe përfshirjen digjitale të komunitetit rom”, thekson Elvis Shaqiri.
Gjatë qëndrimit të tij, Elvis Shaqiri pati disa takime pune me përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe të institucioneve e organizatave të tjera që punojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Në ceremoninë e djeshme të ndarjes së çmimeve ishte i pranishëm ambasadori ynë në Uashington, Zoran Popov.