Narona Luma Veseli: Monumentet kulturore luajnë rol të rëndësishëm në formimin e marrëdhënieve ndërkulturore në shoqëritë multietnike
Monumentet kulturore kanë një ndikim të madh në shoqërinë multikulturore, duke shërbyer si simbole të identiteteve të ndryshme, trashëgimisë dhe historisë së një shoqërie të pasur me diversitet kulturor. Kështu u shpreh për Portalb.mk Narona Luma Veseli arkeologe shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Narona është aktive në shumë seminare, debate dhe ngjarje tjera kulturore si në vend ashtu edhe në rajon, dhe në përgjithësi duke ju kushtuar kulturës shqiptare si dhe angazhimin e femrave në këtë drejtim. Ajo thotë se në përgjithësi RMV-ja është një vend shumë i pasur me lokalitete arkeologjike që ofrojnë një pasqyrë të thellë të historisë dhe kulturës së rajonit.
Portalb.mk: Pse pikërisht zgjodhët degën e arkeologjisë për studim?
Narona Luma Veseli: Unë kisha fatin të kem në fakultet dy drejtime së bashku, pra, të studioj historinë e artit me arkeologji, fakultet i cili drejtim më vonë u nda në dy, pra në histori të artit dhe veçmas arkeologjia, por unë kisha mundësi ti kisha të dyja bashkë, drejtime deficitare që janë të lidhura njëra me tjetrën.
Në këtë drejtim nga shoqëria jonë dhe nga të rinjtë ka mungesë interesimi, janë të paktë ata që vendosin të studiojnë këtë drejtim.
Arkeologjia ofron mundësi për të zbuluar dhe kuptuar historinë e njerëzimit përmes zbulimeve arkeologjike. Ajo na ndihmon për zbardhjen e kulturave të kaluara dhe zhvillimin e shoqërisë, gjithashtu arkeologjia por edhe historia e artit siç thash, janë të lidhura njëra me tjetrën, ndihmojnë në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Arkeologjia na ndihmon përmes gërmimeve arkeologjike të zbulojë objekte dhe vendbanime që kanë qenë të humbura për shekuj me radhë. Pra përmes arkeologjisë në fakt nëpërmjet të kaluarës e njohim të tashmen.
Portalb.mk: Keni studiuar për historinë e artit na flisni pak për historinë të cilën publiku është më pak i njoftuar?
Narona Luma Veseli: Historia e artit është një fushë studimi që merret me zhvillimin e artit në kohë duke përfshirë krijimin, stilet, lëvizjet kulturore, është një disiplinë e rëndësishme për të kuptuar si ka evoluar shoqëria duke filluar nga artet primitive pra nga historia e vjetër e artit, si piktura parahistorike, artet e antikitetit, deri tek historia e artit modern dhe bashkëkohorë, duke përfshirë këtu pikturat, artet vizuale, skulpturat, monumentet, arkitektura. Në përgjithësi, historia e artit është një mjet i fuqishëm për të kuptuar dhe interpretuar ndryshimet shoqërore në shoqëri.

Portalb.mk: Në cilat gërmime keni marrë pjesë dhe çfarë keni zbuluar?
Narona Luma Veseli: Pas përfundimeve të studimeve në fillim më shumë isha e angazhuar në gërmime arkeologjike se në historinë e artit por me kalimin e kohës situata ndryshoj dhe rruga më çoi më shumë në përzgjedhjen e historisë së artit.
Kam marrë pjesë në gërmime arkeologjike në Shkup, Tetovë, në Kalanë e Tetovës në vitin 2007, si dhe në lokalitetin Stençe në vitin 2012, gjithashtu në vitin 2008 kam bërë një trajnim “Butrint archaeological training school”- Butrint, Shqipëri.
Gjetjet arkeologjike në këto lokalitete kanë qenë të ndryshme si struktura arkitektonike, pra monumente, murre rrethuese dhe rrugica të vendbanimeve, pastaj zbulime tjera të shpeshta janë edhe varreza dhe eshtra të shoqëruara me bizhuteri, enë qeramike, si dhe monedhat që zakonisht janë të shpeshta gjatë gërmimeve, varësisht nga lokaliteti dhe historia e lokalitetit.
Portalb.mk: Cili gërmim ju ka lënë më shumë përshtypje?
Narona Luma Veseli: Nga gërmimet arkeologjike më shumë përshtypje më ka lënë ajo që më lidh me vendlindjen time Tetovën, pra gërmimet në Kalanë e Tetovës, kanë qenë me emocionuese dhe me një ekip të gjerë dhe profesionist. Por edhe një përvojë e veçantë është trajnimi “Butrint archaeological training school”- Butrint, në Sarandë Shqipëri, shkollë kjo që u realizua me arkeolog nga Anglia dhe Shqipëria, dhe me të vërtetë ka qenë një eksperiencë e veçantë.
Portalb.mk: Cili është ndikimi i monumenteve kulturore në shoqërinë multikulturore?
Narona Luma Veseli: Monumentet kulturore kanë një ndikim të madh në shoqërinë multikulturore, duke shërbyer si simbole të identiteteve të ndryshme, trashëgimisë dhe historisë së një shoqërie të pasur me diversitet kulturor. Këto monumente luajnë rol të rëndësishëm në formimin e marrëdhënieve ndërkulturore në një shoqëri me grupe të ndryshme etnike, fetare apo kombëtare.
Monumentet ofrojnë mundësi për të njohur dhe respektuar kulturat dhe historitë e ndryshme, gjithashtu mund të shërbejnë si pikë takimi të grupeve të ndryshme kulturore, ku mund të mësojnë kulturat dhe traditat e tjera. Gjithashtu monumentet ndihmojnë edhe në zhvillim e turizmit dhe edukimin e të rinjve, pra në përgjithësi monumentet kulturore kanë një ndikim të madh në shoqërinë multikulturore, duke kontribuar në formimin e një identiteti të përbashkët duke promovuar respektin dhe dialogun ndërkulturor, por gjithashtu duke paraqitur mundësi dhe sfida për integrimin dhe ruajtjen e harmonisë shoqërore.

Portalb.mk: Sa e pasur është Maqedonia e Veriut nga ana arkeologjike?
Narona Luma Veseli: Në përgjithësi Maqedonia e Veriut është një vend shumë i pasur me lokalitete arkeologjike që ofrojnë një pasqyrë të thellë të historisë dhe kulturës së rajonit.
Portalb.mk: Sa shteti jonë përkujdeset për gjetjet arkeologjike dhe ai trajton siç duhet?
Narona Luma Veseli: Maqedonia ka bërë përpjekje për të ruajtur dhe menaxhuar gjetjet arkeologjike, por ka sfida të mëdha që lidhen me mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Për mbrojtjen e monumenteve dhe gjetjeve arkeologjike duhet investim dhe ruajtje, çdo zbulim kërkon restaurimin dhe konservimin, gjithashtu kërkon dhe staf të kualifikuar. Sigurisht që duhet më shumë investim dhe angazhim për të siguruar që këto pasuri kulturore të trajtohen siç duhet.
Portalb.mk: Cili është mesazhi juaj deri te audienca e gjerë?
Narona Luma Veseli: Mesazhi im ndoshta do të ishte te shoqëria jonë që të vizitojnë sa më shumë objekte kulturore, nxënësit, të rinjtë të shkojnë më shpesh në muze, galeri të artit, të vizitojnë lokalitete arkeologjike, sepse nëpërmjet tyre mund të mësohet shumë, është një kulturë e përgjithshme që do duhet ta bënte çdo individ. Kështu çdo shoqëri do të jetë me e zhvilluar dhe më e fortë.