Përderisa paralajmërohet krizë e re Ministria e Ekonomisë në RMV nuk po shqyrton masa për kufizimin e marzheve
Me rritjen e çmimeve të naftës është shtuar edhe presioni për shtrenjtimin e produkteve bazë, megjithatë Ministria e Ekonomisë dhe Punës në Maqedoninë e Veriut për momentin nuk po shqyrton kufizimin e marzheve të produkteve bazë ushqimore, shkruan Portalb.mk.
Me rritjen e çmimeve të vazhdueshme të derivateve të naftës, ekspertët kanë paralajmëruar për rritje të re të çmimeve, kryesisht në ushqim, prodhim dhe transport.
Nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës (MEP) për Portalb.mk theksojnë se i ndjekin lëvizjet e çmimeve, të cilat pritet të kenë efekt domino edhe në segmentet e tjera. Duke pasur parasysh pasojat e kësaj rritjeje, siç thanë nga atje, MEP po bën analizë të çmimeve në tregtinë me pakicë dhe shumicë të produkteve bazë ushqimore.
“Nëse konstatohet rritje e pajustifikuar e çmimeve, menjëherë do të ndërhyjë dhe do t’i propozojë Qeverisë masa të caktuara, me qëllim amortizimin e goditjes ndaj buxhetit familjar të qytetarëve. Në periudhën në vijim, në prag të fillimit të vitit shkollor, MEP tashmë i ka propozuar Qeverisë, e cila i ka miratuar, masat për uljen e çmimeve të mjeteve shkollore”, thanë nga Ministria e Ekonomisë.
Nga atje shtuan se vjeshta do të sjellë sfida të reja, por MEP dhe Qeveria do të kërkojnë mënyrën e duhur për t’iu përgjigjur këtyre sfidave dhe për të mbrojtur standardin e qytetarëve në RMV.
Nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, na u tha se për momentin nuk po shqyrtojnë kufizimin e marzhave të produkteve bazë ushqimore, përderisa nuk konstatohet se marzhet janë shkak i rritjes së çmimeve. Ndërkohë nëse fillon rritja e çmimeve të ushqimit për shkak të rritjes së kostove të prodhimit, nga MEP thonë se do të propozojnë masa të targetuara për mbrojtjen e qytetarëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta.
Analisti ekonomik Abil Baush paralajmëroi se rritja globale e çmimeve të naftës dhe energjisë mund të sjellë efekt zinxhiror edhe në Maqedoninë e Veriut, duke shtrenjtuar transportin, prodhimin dhe përfundimisht ushqimet. Sipas tij, kjo mund të dobësojë më tej fuqinë blerëse të qytetarëve, veçanërisht të familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
“Nëse ky trend vazhdon, mund të kemi efekt zinxhir si naftë më e shtrenjtë, transport dhe prodhim më të shtrenjtë, çmime më të larta dhe si pasojë rënie e fuqisë blerëse”, u shpreh Baush.
Nga ana tjetër, Durim Zekiri drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore ka deklaruar se rritja e çmimeve të karburanteve dhe lëndëve të para po krijon presion serioz mbi bizneset dhe po ky efekt bartet në të gjithë zinxhirin, transport, furnizim, prodhim dhe në fund distribuim.
“Kompanitë vendore, sidomos ato prodhuese, transportuese dhe eksportuese, operojnë në një treg shumë konkurrues dhe nuk mund ta transferojnë çdo rritje të kostos te konsumatori. Për një periudhë, bizneset mund të absorbojnë një pjesë të këtyre kostove përmes marzhave të tyre, por kjo ka kufi”, deklaroi Zekiri.
Kujtojmë se çmimi i dizelit në Maqedoni që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit e deri më tani është rritur për më shumë se 30 denarë për litër, përkatësisht për rreth 43 përqind. Benzinat gjatë së njëjtës periudhë janë shtrenjtuar për gati 20 denarë, ose rreth 26 përqind raporton.
Për krahasim, më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli filluan sulmet ndaj Iranit, çmimi maksimal i Eurosuper BS-95 në vend ishte 73,5 denarë, BS-98 kushtonte 75,5 denarë, ndërsa dizeli 71 denarë për litër.
Ndryshe, sipas një llogaritjeje të re të shportës minimale sindikale të bërë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), një familje me katër anëtarë në Maqedoni ka nevojë për 68.498 denarë në korrik vetëm për të mbuluar nevojat bazë mujore. Nëse familja nuk ka shtëpinë e vet dhe paguan qira për një apartament 60 metra katrorë, shuma e kërkuar rritet në 83,873 denarë.