Maqedonia e Veriut me krizë të re në horizont, nafta hap rrugën për shtrenjtimin e transportit dhe ushqimeve

Rritja e çmimit të naftës mund të mos ndalet te pompat e karburanteve. Ekspertët paralajmërojnë se shtrenjtimi mund të bartet te transporti, prodhimi dhe ushqimet, duke rënduar edhe më shumë buxhetin e familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Bizneset përballen me kosto gjithnjë e më të larta, ndërsa Qeveria premton masa, por thotë se duhet të veprojë me kujdes, shkruan Portalb.mk.

Rritja e kostove të prodhimit dhe transportit, krahas pasigurive në tregjet ndërkombëtare, mund të ndikojë në çmimet e produkteve ushqimore, ndërsa efektet pritet të shfaqen gradualisht gjatë muajve të ardhshëm.

Analisti ekonomik Abil Baush paralajmëroi se rritja globale e çmimeve të naftës dhe energjisë mund të sjellë një efekt zinxhiror edhe në Maqedoninë e Veriut, duke shtrenjtuar transportin, prodhimin dhe përfundimisht ushqimet. Sipas tij, kjo mund të dobësojë më tej fuqinë blerëse të qytetarëve, veçanërisht të familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Abil Baush. Foto nga arkivi i tij personal.
Abil Baush. Foto nga arkivi i tij personal.

Baush për Portalb.mk, tha se rritja e çmimeve në nivel global, veçanërisht e naftës dhe energjisë, paraqet rrezik edhe për Maqedoninë e Veriut, pasi ekonomia jonë është dukshëm e varur nga importi.

Baush tha se rritja e çmimit të naftës nuk ndikon vetëm te karburantet, por përmes kostove të transportit dhe prodhimit transmetohet edhe te çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera.

Sipas tij, nëse ky trend vazhdon, mund të kemi efekt zinxhir si naftë më e shtrenjtë, transport dhe prodhim më të shtrenjtë, çmime më të larta dhe si pasojë rënie e fuqisë blerëse.

“Më të goditurat do të jenë familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të cilat pjesën më të madhe të buxhetit e shpenzojnë për ushqim, energji dhe transport. Qeveria duhet të reagojë në mënyrë parandaluese ashtu që të monitorojë çmimet dhe marzhet e produkteve bazë, të pengojë rritjet e pajustifikuara të çmimeve dhe, nëse presioni vazhdon, të shqyrtojë masa të përkohshme fiskale për karburantet. Njëkohësisht, mbështetja financiare duhet të jetë e targetuar te familjet dhe kategoritë më të cenueshme”, nënvizoi Baush.

Ai shtoi se qëllimi nuk duhet të jetë ngrirja artificiale e çmimeve, por parandalimi i një vale të re e inflacionit dhe mbrojtja e fuqisë blerëse të qytetarëve.

Bizneset nën presion: Kostot e larta rrezikojnë të prekin edhe çmimet

Nga ana tjetër, Durim Zekiri drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, për Portalb.mk, ka deklaruar se rritja e çmimeve të karburanteve dhe lëndëve të para po krijon presion serioz mbi bizneset dhe po ky efekt bartet në të gjithë zinxhirin, transport, furnizim, prodhim dhe në fund distribuim.

Durim Zekiri. Foto nga faqja zyrtare e Odes Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore
Durim Zekiri. Foto nga faqja zyrtare e Odes Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore

Sipas tij, kompanitë vendore, sidomos ato prodhuese, transportuese dhe eksportuese, operojnë në një treg shumë konkurrues dhe nuk mund ta transferojnë çdo rritje të kostos te konsumatori. Ai tha se për një periudhë, bizneset mund të absorbojnë një pjesë të këtyre kostove përmes marzhave të tyre, por kjo ka kufi.

“Kur kjo situatë zgjat, pasojat shihen në uljen e fitimit, likuiditetit dhe ajo që është edhe më shqetësuese, në ngadalësimin e investimeve. Nëse çmimet e energjisë, karburanteve dhe lëndëve të para vazhdojnë të qëndrojnë në nivele të larta, sigurisht që do të ketë presion edhe mbi çmimet finale. Por duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim për këtë çështje: asnjë kompani nuk ka interes t’i rrisë çmimet në një treg ku fuqia blerëse është e kufizuar. Në praktikë, bizneset zakonisht e absorbojnë fillimisht një pjesë të rritjes së kostove. Vetëm kur kjo bëhet financiarisht e paqëndrueshme, bëhet korrigjimi i çmimeve. Prandaj, nëse shohim rritje të reja, ato duhet t’i shohim para së gjithash si reflektim të kostove më të larta të operimit dhe jo si tendencë të bizneseve për të rritur marzhat”, thotë Zekiri.

Ai shtoi se nëse shteti dëshiron të frenojë rritjen e çmimeve, atëherë duhet të punojmë në uljen e kostove që kompanitë kanë për të prodhuar dhe për ta sjellë produktin në treg. Ai foli edhe për shqyrtimin e hapësirave për lehtësimin e ngarkesave fiskale dhe parafiskale që ndikojnë në çmimin e karburanteve dhe në kostot e biznesit, të mos krijohen detyrime të reja financiare në këtë periudhë dhe të ketë masa të targetuara për sektorët që janë më të ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve të energjisë dhe lëndëve të para.

Portalb.mk, ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës nëse do të marrë masa për zbutjen e krizës, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë përgjigje.

Ndërkohë, kryeministri Hristian Mickoski, ka deklaruar se nafta në Maqedoni është më e lira në rajon. Ai numroi të gjithë vendet e rajonit, ku përmendi se nafta në vendin tonë është më e lirë se në vendet e rajonit.

“Pra, nëse e lëmë politikën mënjanë dhe fillojmë t’i shikojmë shifrat, do të arrijmë në përfundimin se në këtë moment, meqë të gjithë blejmë nga i njëjti vend dhe nuk blejmë nga vende të ndryshme, qytetarët e Maqedonisë, por edhe qytetarë të disa vendeve fqinje, vijnë në Maqedoni, në stacionet e karburantit, për të mbushur rezervuarët e veturave dhe automjeteve të tyre. Ne, si qeveri, nuk kujdesemi vetëm për qytetarët e Maqedonisë. Volumi total i karburantit, benzinës dhe naftës së shitur është rritur me rreth 50 deri në 60 përqind gjatë disa muajve të fundit. Megjithatë, kemi arritur të ruajmë stabilitetin makroekonomik në vend”, tha Mickoski.

Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së
Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

I pyetur nëse qeveria do të ndërmarrë masa për uljen e çmimit të karburanteve, Mickoski tha se ka plan për këtë por që duhet të veprohet me kujdes.

“Po, ne po planifikojmë. Kemi një strategji të qartë dhe një plan të qartë. Sipas analizave tona, kjo situatë do të zgjasë. Situata në Gjirin Persik mund të zgjasë për disa vjet, prandaj po veprojmë me kujdes, në mënyrë që të mos cenojmë stabilitetin makroekonomik të vendit, ndërkohë që nga ana tjetër sigurojmë karburantet me çmimet më të ulëta për qytetarët dhe industrinë në Maqedoni. Ne e kemi ulur inflacionin në nivelin më të ulët në rajon, në 2,3 për qind në vit në korrik, ndërsa në tregtinë me pakicë ai është 1,7 deri në 1,8 për qind”, shtoi Mickoski.

Kujtojmë se çmimi i dizelit në Maqedoni që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit e deri më tani është rritur për më shumë se 30 denarë për litër, përkatësisht për rreth 43 përqind. Benzinat gjatë së njëjtës periudhë janë shtrenjtuar për gati 20 denarë, ose rreth 26 përqind raporton.

Për krahasim, më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli filluan sulmet ndaj Iranit, çmimi maksimal i Eurosuper BS-95 në vend ishte 73,5 denarë, BS-98 kushtonte 75,5 denarë, ndërsa dizeli 71 denarë për litër.

Ndryshe, sipas një llogaritjeje të re të shportës minimale sindikale të bërë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), një familje me katër anëtarë në Maqedoni ka nevojë për 68.498 denarë në korrik vetëm për të mbuluar nevojat bazë mujore. Nëse familja nuk ka shtëpinë e vet dhe paguan qira për një apartament 60 metra katrorë, shuma e kërkuar rritet në 83,873 denarë.