Nga zhgënjimi i rilindësve te përçarjet e sotme shqiptare

Janë të shumtë veprimtarët e shquar të çështjes shqiptare që shkuan syhapur në botën e përtejme për shkak të zhgënjimeve të përjetuara pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kur prisnin shijimin e frutave të sakrificave mbinjerëzore të bijve të kombit. Më të zhgënjyer qenë Rilindësit, të cilëve nuk u kishte shkuar kurrë mendja se pas 28 Nëntorit të 1912-ës, një armatë e tërë mercenarësh do të mohonte paturpësisht kush-jamin dhe do të rrokte kazmat për të hapur varrin e idealeve shekullore.

Pezmatimin e radhës e shkaktuan padrejtësitë e Konferencës së Londrës, ku Shqipëria u cungua rëndë nga vendimet e Fuqive të Mëdha, ndërsa fqinjët grabitqarë, si Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, përvetësuan pjesë të mëdha të trojeve shqiptare.

Këto tmerre që goditën Shqipërinë nga jashtë e nga brenda i portretoi më së miri Gjergj Fishta në poezinë 28 Nanduer 1913”:

Oj Zanë, t’këndojm… t’vajtojm, deshta me thanë;
Pse sot ditë kangët s’asht për mue e tye.
Po ç’gzim kjo ditë ne mundet me na dhanë,
Kur, qe; mbas nji motmoti q’iu pëlqye
Europës shqiptarin zot n’shpi t’vet me lanë
E kujt pos Hyut, n’këtë jetë mos me i shërbye,
Shqiptari i ndam’ prap me vedvedi gjindet
E shk’asht ma zi, prej vedit edhe s’bindet…

Flamuri kombtar nuk ka ç’ka ban nder ne,
Po kje se dashtni nuk kem’ për Atdhe!
E, drue dashtni për Atdhe nuk ka shqiptari;
Me gjasë, s’çan krye shqiptari për komb t’vet,
As për at gjuhë të ambël qi i la i Pari,
As pse Shqipnia n’vedi u ba sot shtet;
Pse e shoh se veç atje ku xhixhllon ari
Pa frymë e tue dihatë vrap ai nget,

Si Krishtin shiti Juda Iskarjot,
Drue Atdheu ndër ne po shitet për një zallotë…

Të njëjtën
dhimbje dhe zemërim për Atdheun e shfytyruar nga tjetri dhe zuzarët shqipfolës e shpërfaqi dhe Lasgush Poradeci me poemën lirike “Naim Frashërit”:

Pastaj rrugësh arratije bje gjykimi e gjëma shtohet,

Pa ze çbëhet ç’u pat bërë – ç’u godit ze çkatërrohet;

Ç’u ndërtua bres pas brezi, bje greminë më një ças,

Ku këndoj bilbili kombit, grifsh’ e huaj çirret pas…

Nuk është e vështirë të kuptohet se këto vargje i lidh me kohën tonë konstatimi se shqiptarët janë unikë vetëm kur gjenden nën thundrat e tjetrit, ndërkaq, posa heqin prangat e huaja, përçahen pa asnjë shkak serioz në vija krahinore, dialektore e fetare. Mjerisht, këto vaki po përsëriten edhe pas pavarësisë së Republikës së Kosovës. Dëshminë për mjerimin në fjalë e gjejmë para së gjithash në katandisjen e raporteve ndërmjet parësive të dy shteteve shqiptare, që nuk dinë ose nuk duan t’i gjejnë mekanizmat e përafrimit brendashqiptar në një kohë kur edhe Ballkani gjendet në prag luftërash me përmasa të mëdha; në rrethana kur edhe të bashkuar do ta kishim të pasigurt të ardhmen, e lëre më kështu, të kacagjelosur si mos më keq.

Shi për këtë, ç’emër t’u vëmë pushtetarëve tanë, që ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit dhe lëvdojnë varrmihësit e shqiptarisë? Përse gjithë ky zell për zbukurimin e imazhit të hasmit, që, siç thoshte Konica: S’ka gjë tjetër për të luftuar shqiptarët përveçse gënjeshtrat, që guxojnë t’i thonë Shqipërisë Veri-Lindëse Serbi e Vjetër” –  atij vendi ku ndodhet Peja, Prizreni, Gjakova – zemra e Shqiptarisë. Po sikur të kishim mend, do të mundnim me të drejtë edhe ne t’i thoshim Serbisë së Poshtme – Shqipëri e Vjetër, ku ndodhen Vraja, Leskoci, Nishi, Kurshumlia, Prokupla dhe Piroti.

Ndoshta këtu qëndron pradoksi shqiptar, të cilin u përpoqën ta anashkalojnë në zanafillë bijtë e zgjedhur të kombit, si: Jeronim De Rada, Naim e Sami Frashëri, Faik Konica, Fan Noli, Gjergj Fishta, Ali Asllani, Hafiz Ali Korça etj. Ata e kuptuan herët mundësinë e katandisjes sonë. Ata e dinin se mund të krijohet shteti shqiptar, por nëse mungon dashnija për Atdheun dhe vetëdija e përkatësisë së përbashkët, atëherë mbetet pa mbrojtje gjithë ajo që u fitua me shumë sakrifica.

Prandaj kush-jami nuk është vetëm një fjalë. Është pyetje që ende na ndjek: kush jemi dhe çfarë duam të jemi si komb?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.