Myftiu Qani Nesimi dhe anëtarët tjerë të Myftinisë së Tetovës dhanë dorëheqje nga pozicionet e tyre në këtë organ
Qani Nesimi është tërhequr nga posti i myftiut të Myftinisë së Tetovës, pas mbledhjes së rregullt të mbajtur më 19 shtator 2025 nga organi vendimmarrës i Myftinisë. Siç shkruan ai në rrjetin social Facebook, përveç tij, nga ky organ kanë dhënë dorëheqje edhe pjesëtarët tjerë, përjashtuar dy anëtarë që siç tha ai mungonin, e të cilët kishin kohë që nuk vinin më në mbledhje të Myftinisë, transmeton Portalb.mk.
“Në mbledhjen e rregullt të Myftinisë së Tetovës-organit legjitim, të zgjedhur dhe vendimmarrës të Myftinisë, të mbajtur më 19 shtator 2025, vendosa të tërhiqem nga Myftinia e Tetovës. Në këtë mbledhje me plotë vetëdije dhe me ndjenjën e përgjegjësisë së lartë, u tërhoqën edhe anëtarët e Myftinisë, përveç dy anëtarëve që nuk ishin prezent, të cilët kishin kohë që nuk vinin më në mbledhje të Myftinisë. Po tërhiqem nga detyra me shumë përgjegjësi, Myfti i Tetovës, të cilën përgjegjësi e kam pranuar me nderë, jam munduar maksimalisht ta barti me nderë dhe po e lë me plotë nderë. Për këtë jam shumë krenar. Tërhiqem vetëm se, shpirtërisht, idealisht dhe qenësisht dua që të ruhet uniteti, respekti i ndërsjellë dhe harmonia midis besimtarëve dhe hoxhallarëve në përgjithësi, dhe i institucionit të vetëm shpirtëror të muslimanëve në RMV, gjegjësisht i BFI-së, në veçanti. Në detyrën time askënd nuk e kam tradhtuar, nuk e kam gënjyer dhe nuk e kam mashtruar. Asnjëherë nuk e kam bërë hesap kohën dhe lodhjen time bashkë me bashkëpunëtorët e mi. Secilit koleg, qoftë i punësuar në Myftini, në Xhami, në Medrese apo në Fakultet, në Rijaset apo në ndonjë myftini tjetër, i kam dal zot deri në pikën e fundit, pa i llogaritur pasojat”, shkroi Nesimi.
Myftinia e Tetovës me në krye Nesimin dhe BFI-ja viteve të kaluara kanë pasur disa herë mosmarrëveshje dhe përplasje. Pas ardhjes në krye të BFI-së të Shaqir Fetahut, Nesimi u shkarkua nga pozita e kreut të Myftinisë së Tetovës dhe u emëruar Selver Xhemaili. Mirëpo, Nesimi e cilësoi shkarkimin e tij jolegjitim, prandaj edhe nuk e lëshoi postin. BFI nga ana tjetër, angazhoi policinë për ta larguar atë nga posti, por nuk pati sukses. Emërimin e Selver Xhemailit për u.d. myfti të Tetovës, i cili paraprakisht ka qenë drejtor i Sektorit të Diasporës në BFI, Nesimi e quajti të “dhunshëm”. Ai porositi që të “respektohet kushtetutshmëria dhe me këtë do të ruhet edhe uniteti në BFI”.
- LEXO: BFI thotë se Muftinia e Tetovës është e uzurpuar nga persona të panjohur, Muftinia: Sot nuk punojmë, jemi duke e pastruar objektin
- LEXO: Myftinitë e Tetovës dhe Strugës të pakënaqura me shkarkimin e myftinjve, BFI nuk jep sqarime shtesë për arsyet
- LEXO: Myftiu Nesimi flet për shkarkimin: Në BFI s’ka përçarje, por imponim të forcës nga Shaqir Fetahu