Shaqir Fetahu i uroi besimtarët për Kurban Bajramin, bëri thirrje për solidaritet dhe paqe

Kreu i Bashkësia Fetare Islame e RMV-së, Shaqir Fetahu, përcolli mesazhin e urimit me rastin e Festës së Kurban Bajramit, duke theksuar rëndësinë shpirtërore, humane dhe sociale të kësaj feste të madhe islame, transmeton Portalb.mk.

Në mesazhin e tij, Fetahu theksoi se Kurban Bajrami simbolizon përkushtimin ndaj Zotit, sakrificën, solidaritetin dhe kujdesin për të varfrit, jetimët dhe gjithë shoqërinë. Ai vuri në pah se kjo festë lidhet ngushtë me kryerjen e obligimit të Haxhit dhe prerjen e kurbanëve, duke rikujtuar se pasuria është dhuratë e Zotit dhe duhet të shërbejë për të mirën e njerëzimit.

“Në ditët e kësaj feste, miliona besimtarë, me besim të paluhatshëm dhe vetëdije të lartë, kryejnë obligimin e Haxhit për ta plotësuar kushtin e pestë të Islamit, duke dëshmuar në praktikë fuqinë e besimit dhe përkushtimin e tyre ndaj Zotit të Madhërishëm me fjalët: “Të përgjigjemi, o Zoti ynë, të përgjigjemi!”, thuhet në mesazh.

Kreu i BFI-së nënvizoi se Festa e Kurban Bajramit kultivon vlera si urtësia, maturia, solidariteti dhe toleranca, ndërsa i fton besimtarët të largojnë urrejtjen, përçarjen dhe diskriminimin.

Në fund të urimit, Shaqir Fetahu, në emër të BFI-së dhe në emrin e tij personal, ua uroi festën të gjithë besimtarëve dhe bashkatdhetarëve kudo që jetojnë, duke lutur Zotin që t’i pranojë sakrificat, lutjet dhe kurbanët e tyre.

Ndryshe, besimtarët muslimanë nesër në Maqedoninë e Veriut dhe mbarë botën festojnë Kurban Bajramin, festë, e cila vijon dy muaj pas Fitër Bajramit.

Kurban Bajrami, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e profetit Ibrahim të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.

Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një pjesë; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.

Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.