Myftinitë e Tetovës dhe Strugës të pakënaqura me shkarkimin e myftinjve, BFI nuk jep sqarime shtesë për arsyet

Rijaseti i BFI-së më 8 nëntor të këtij viti, i shkarkoi myftinjtë e Tetovës dhe Strugës dhe këtë vendim e bëri publik në Facebook. Pas kësaj, myftinitë vendimin e cilësuan jolegjitim sepse, sipas tyre, në mbledhjen e Rijasetit nuk kanë qenë të ftuar të gjithë anëtarët. BFI e ka publikuar vendimin duke u thirrur në disa nene të Kushtetutës së BFI-së. Por, versioni i fundit zyrtar i kushtetutës nuk mund të gjendet në ueb-faqen dhe as në kanalet e tjera zyrtare të këtij institucioni, njofton Portalb.mk.

Organi më i lartë vendimmarrës i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Rijaseti, të mërkurën i shkarkoi Qani Nesimin nga posti i myftiut të Tetovës dhe Salim Sulejmanin nga posti i myftiut të Strugës, ndërkaq në vend të tyre, Rijaseti në Tetovë e emëroi u.d. myftiun Selver Xhemaili dhe në Strugë, u.d. myftiun Jusuf Ismaili.

“Rijaseti i BFI e RMV, si organi më i lartë kolektiv, vendimet e lartpërmendura i mori për ta ruajtur unitetin e popullatës muslimane në vendin tonë si dhe për ta ruajtur integritetin e Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së”, thuhet në njoftimin e BFI-së.

Sipas arsyetimeve në vendimet e Rijasetit, të dy myftinjtë janë shkarkuar në bazë të të njëjtave nene, gjegjësisht 26, 29, 31 dhe 57, të cilët, siç thuhet në disa versione të disa kushtetutave të viteve të ndryshme që i ka gjetur Portalb në internet, kanë të bëjnë me mos-përmbushjen e detyrimeve dhe obligimeve që priten nga to.

Pasi BFI nuk e ka të publikuar Kushtetutën e saj në ueb-faqen zyrtare të saj, kërkuam që të na dorëzojnë edhe versionin e fundit të Kushtetutës, për të parë se çfarë parashohin nenet në e vendimeve për shkarkim, por. BFI, deri më tani nuk na e dërgoi Kushtetutën.

Edhe pse Portalb.mk, kërkoi sqarim nga BFI për veprat konkrete të shkarkimeve, në bazë të cilës janë miratuar vendimet, por deri në publikimin e këtij shkrimi, nga BFI nuk na dhanë përgjigje. Në bisedë joformale, na thanë se në ditët në vijim do të dalin me informata shtesë.

Myftinia e Tetovës e quan shkarkimin jolegal dhe jolegjitim

Një ditë pas shkarkimit të myftiut të Tetovës, Qani Nesimi, Myftinia Myftinia e Tetovës, e cila administron me 107 xhami dhe është e dyta pas Shkupit për nga numri i xhamive, ka mbajtur mbledhje në të cilën ka miratuar vendim, me të cilin shkarkimin e ka shpallur jolegjitim dhe jolegal.

“Shkarkimi i Muftiut aktual të Tetovës Prof.Dr. Qani ef. Nesimi i bërë në mbledhjen e Rijasetit të BFI-së të RMV-së, mbajtur më 08.11.2023 është jolegjitime dhe jolegale, si dhe emërimi i UD Mufti i Tetovës Dr. Selver ef. Xhemaili është bërë në një mbledhje jolegjitime dhe jolegale të Rijasetit të BFI-së të RMV-së”, thuhet në njoftimin e sotëm, i cili është publikuar në faqen e Facebook-ut të Myftinisë së Tetovës.

Në një bashkëbisedim me gazetarin e Portalb.mk, myftiu i shkarkuar Nesimi, i cili në zgjedhjet e fundit në BFI ishte kundërkandidat i Shaqir Fetahut për reis, tha se është shkarkuar për “qejfet e Shaqirit Fetahut” dhe se mbledhjen e Rijasetit e ka organizuar dhe mbajtur vetëm me personat e afërt të tij.

Emërimin e Selver Xhemailit për u.d. myfti të Tetovës, Selver Xhemaili, i cili deri më tani ka qenë drejtor i Sektorit të Diasporës në BFI, Nesimi e quajti të “dhunshëm”. Ai porositi që të “respektohet kushtetutshmëria dhe me këtë do të ruhet edhe uniteti në BFI”.

Myftia e Strugës e quan jolegal shkarkimin e myftiut Salim Sulejmani

Një ditë pas shkarkimit të myftiut, edhe Myftinia e Strugës ka mbajtur mbledhje, por qëndrimi zyrtar i tyre është publikuar mbrëmë në mesnatë.

Nga Myftinia e Strugës e cila administron me 34 xhami, theksojnë se kanë miratuar deklaratë nëpërmjet të cilës thonë se “njëzëri nuk janë dakord me vendimin e Rijasetit për shkarkimin e myftiut të Strugës sepse i njëjti bie në kundërshtim me Kushtetutën e BFI-së”.

Siç thuhet në letër, vendimi është miratuar në mbledhje jolegjitime për shkak se Rijaseti nuk ka qenë i plotë.

“Habia më e madhe është se as nuk jemi njoftuar për këtë mbledhje. Përveç neve në mbledhje nuk janë ftuar edhe katër anëtarë të rregullt të Rijasetit. Shkarkimi vjen pasi tanimë një kohë të gjatë në BFI ka pasur pakënaqësi dhe përplasje mendimesh dhe idesh për mënyrën e organizimit të jetës fetare në RMV”, thonë nga Myftinia e Strugës.

Në fund të letrës, në deklaratë thuhet se myftiu bashkë me administratën e Myftinisë “për hir të unitetit dhe qetësisë dhe të mospërçarjes, kanë vendosur njëzëri që të tërhiqen nga postet aktuale në Myftininë e Strugës”.

Ndryshe më 18 nëntor të vitit 2020, me 18 vota “për” nga gjithsej 21 anëtarë të Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir efendi Fetahu u zgjodh kryetar i BFI-së. Kundërkandidati i tij, myftiu nga Tetova, Qani Nesimi, mori 3 vota.

Më 27 maj të vitit 2020, Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame në mbledhjen e jashtëzakonshme me shumicë prej dy të tretave e shkarkoi nga funksioni kreun e tyre, Sulejman Rexhepi. Rexhepi u shkarkua në bazë të nenit 58 të kushtetutës së BFI-së, në të cilin thuhet se kryetari i BFI-së shkarkohet kur “nuk i kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, kur qëndrimi dhe puna e tij është në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI, kur punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI, kur keqpërdor pozitën në dëm të interesave të BFI-së”.