Myftiu Nesimi flet për shkarkimin: Në BFI s’ka përçarje, por imponim të forcës nga Shaqir Fetahu

Jam shkarkuar për qejfet e Shaqirit Fetahut. Kështu thotë, kryetari i Myftinisë së Tetovës, Qani Nesimi, të cilin dje Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame e shkarkoi nga pozita e myftiut. Nesimi, në një bisedë me gazetarin e Portalb.mk, shprehet se shkarkimi i tij është jolegal dhe jolegjitim, ndërkaq fajtor për këtë, sipas tij është kreu i BFI-së, Shaqir Fetahu.

Për më shumë, lexojeni bashkëbisedimin e gazetarit Suad Bajrami, me myftiun Qani Nesimi

Pse jeni shkarkuar nga posti i myftisë së Tetovës?

Qani Nesimi: Shaqir Fetahu dje ka organizuar një mbledhje të Rijasetit, i cili është organi më i lartë vendimmarrës, duke thirrur në mbledhje, anëtarë në mënyrë selektive. Ai nuk ka thirrur në mbledhje të gjithë anëtarët që janë anëtarë të Rijasetit dhe kjo është obligim kushtetues. Nuk e ka thirrur myftiun e Kumanovës, myftiun e Tetovës, myftiun e Strugës, dekanin e Fakultetit të Shkencave Islame, por edhe kolegët tjerë të cilët janë në proces që i ka shkarkuar më herët, të cilët janë në proces dhe kanë përgjigje pozitive nga Gjykata. Por, ai është një proces tjetër. Këto katër të parët, nuk i ka ftuar në mbledhje. Domethënë, i ka thirr në mbledhje vetëm ata që e dëgjojnë Shaqir Fetahun, që i përulen Shaqir Fetahut, e tash unë si një person që nuk i dëgjoj dëshirat dhe qejfet e Shaqir Fetahut, ai me këta njerëz në formë të seleksionuar, në një mbledhje që nuk është legjitim dhe legale, merr vendim për shkarkimin e myftiut të Tetovës.

Unë, kam organin tim vendimmarrës në Myftini edhe mexhlisin e xhamive. Dje, kisha mbledhje me anëtarët e Myftinisë, organ vendimmarës, të cilët e shpallën mbledhjen e Rijasetit, jolegale dhe jolegjitime dhe sot shkarkimin tim dhe ngarkimin e myftiut të dhunshëm e shpallën jolegal dhe jolegjitim. Mexhlisi i xhamive që është organ që përbëhet nga të gjitha xhamitë e Myftinisë së Tetovës që janë hoxhallarët dhe të punësuarit me vendim pune dhe kryetarët e Këshillave me arkëtarët e Xhamive, të cilët në mënyrë unanime vendosën që vendimet e Shaqir Fetahut janë jolegale dhe jolegjitime dhe kërkuan nga unë që të vazhdoj detyrën derisa të vijë dimensioni ligjor kushtetues në BFI.

Nenet për shkarkimin tuaj kryesisht kanë të bëjnë me mospërmbushjen e detyrave dhe detyrimeve si myfti, për çfarë vepra konkrete kanë të bëjnë?

Qani Nesimi: Unë nuk i di. Nenet që citohen në njoftim, për herë të parë i kam lexuar në vendimin e djeshëm. Nuk kam pasur më herët, ndonjë vërejtje në këtë drejtim dhe unë gjithmonë kam vepruar në përputhshmëri me Kushtetutën e Bashkësisë Fetare Islame.

Shaqir Fetahu njëherë ka vendosur për shkarkim pastaj, hajt të shohim si mund t’ia lidhim ligjërisht këtij shkarkimi dhe ka përmendur të gjitha ato pikat të cilat më tepër përplaset vetë Shaqir Fetahu se sa dikush tjetër derisa mban një mbledhje të Rijasetit e cila nuk është legale dhe legjitime.

Duke e pasur parasysh se siç thatë, Fetahu nuk ka thirr në mbledhje disa prej anëtarëve të Rijasetit, a ka përçarje në BFI?

Qani Nesimi: Në Bashkësinë Fetare Islame nuk ka përçarje. Në BFI ka imponim të forcës së kryetarit të BFI-së, Shaqir Fetahu, i cili dikë në formë seleksionuese e thirr dhe e mban pranë vetes, dikë e largon, dikë e shkarkon, ndërsa në mesin tonë nuk ka ndonjë përçarje apo ndonjë problem brenda BFI-së.

Por, mbrojtja e kushtetueshmërisë do të na ruaj unitetin e BFI-së edhe më tutje.

Kur janë zgjedhjet e ardhshme për reis të BFI-së dhe a ka të bëjë shkarkimi juaj për shkak të kandidaturës suaj për reis gjatë zgjedhjeve të fundit?

Qani Nesimi: Në BFI nuk ka zgjedhje, nuk ka caktim për zgjedhje. Kushtetuta që duhej të bëjë ndryshime, Shaqir Fetahu nuk parasheh zgjedhje as për reis ulema e as për myfti dhe ai ka premtuar në zgjedhjen e tij të Kushtetutës në këtë drejtim, por nuk ka ndryshuar.

Sa i përket kandidaturës sime, atëherë Shaqir Fetahu është zgjedhur me shumicën e votave dhe nuk rrezikohej vendi i tij nga unë. Ajo procedurë është kryer para tre vitesh më 18 nëntor 2020. Po ta bënte këtë, do ta bënte edhe më herët.

Nuk kemi pasur ndonjë problem serioz, por kemi pasur idetë tona, jemi përplasur me mendime dhe ide, pra kemi pasur vërejtjet dhe kritikat tona siç kemi pasur edhe gabimet tona që e kemi korrigjuar njëri tjetrin gjatë punës në Bashkësinë Islame.

Cila do të jetë zgjidhja, duke e pasur parasysh se Rijaseti ju ka shkarkuar, ndërkaq Myftinia ka miratuar vendim që nuk e pranon vendimin e Rijasetit?

Qani Nesimi: Me vijat ligjore dhe kushtetuese të BFI-së dhe shtetit tonë do të mundohemi që t’i realizojmë në përpikëri dhe kërkojmë mbështetje nga institucionet shtetërore – qendrore dhe lokale, nga partitë politike, nga kryetari i shtetit, nga kryeministri, nga kryetari i Parlamentit, nga zëvendëskryeministri i parë, duke na ndihmuar edhe ambasadat e huaja që të kthehet kushtetutshmëria në BFI, në këtë drejtim ne do të japim maksimumin tonë.

Unë nuk jam njeri që kam kërkuar ose do të kërkoj pozicione, apo që insistoj në pozicione. Jam njeri që insistoj zbatueshmërinë ligjore në institucione dhe këtë do të mundohem ta bëj derisa do të kem mundësi për ta bërë.

Cila është porosia juaj për BFI-në?

Qani Nesimi: Bashkësia Fetare Islame dhe gjithë kolegët që marrin pjesë nëpër këto tubime, myftitë e nderuar që i thirr Shaqir Fetahu, drejtorët e caktuar që i thirr Shaqir Fetahu, le të mundohen që të ngrenë zërin për kushtetutshmërinë e BFI-së, kështu e mbrojmë BFI-në, kështu i ndihmojmë popullatës, përndryshe, është një veprim që i shërbejnë të gjithë një klani të caktuar që kjo shkon drejtë prishjes ligjore-kushtetuese të BFI-së.

Portalb.mk ka kërkuar qëndrim dhe sqarim më të detajuar për shkarkimin e myftiut Nesimi nga Bashkësia Fetare Islame, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk kemi marrë përgjigje.