BFI thotë se Muftinia e Tetovës është e uzurpuar nga persona të panjohur, Muftinia: Sot nuk punojmë, jemi duke e pastruar objektin

Sot në mëngjes, para objektit të Muftinisë së Tetovës janë parë forca policore, të cilat kanë shkaktuar interesin e mediave për të informuar për mosmarrëveshjet në këtë muftini, e cila prej nëntorit të vitit 2023 pavarësisht se është zgjedhur mufti i ri nga Rijaseti i BFI-së, Selver Xhemaili, ai nuk e ushtron detyrën nga ndërtesa zyrtare pasi që muftiu paraprak, Qani Nesimi ka refuzuar ta lëshojë pozitën nën arsyetimin se shkarkimi i tij është jolegal dhe jolegjitim dhe për këtë fajtor është reisi Shaqir Fetahu, shkruan Portalb.mk.

Muftiu Xhemaili ka tentuar që sot të hyjë në ndërtesën e Muftinisë, por ka qenë i penguar nga persona të afërt të Qani Nesimi. Portalb.mk, disa herë tentoi që të kontaktojë Nesimin, por ai është i pakapshëm për redaksinë tonë.

Në lidhje me prezencë policore, Fatmir Rexhepi nga SPB Tetovë për Portalb.mk tha se policia ndodhet vetëm për arsye parandaluese që të mos ketë prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Në bazë të informatave nga terreni është vlerësuar mundësia për prishjen e rendit dhe qetësisë publike dhe për këtë policia është aty që eventualisht nëse eskalon situata të jemi prezent. BFI është instituicon autonom dhe ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë e as që kemi ndërhyrë. Kërkesa për prezencë të policisë nuk ka ardhur nga askush, por këtë e kemi vlerësuar në bazë të të dhënave nga terreni”, thotë Rexhepi.

Në media u shpërnda dhe lajmi se të dy myftinjtë, Xhemaili dhe Nesimi, kanë përfunduar në polici, për çka Rexhepi demantoi kategorikisht.

“Kjo nuk është e vërtetë, asnjëri prej tyre nuk janë në polici. Nuk ka pasur prishje të rendit dhe qetësisë publike”, tha Rexhepi duke apeluar deri te mediat që të kenë kujdes me shpërndarjen e informatave.

Nga SPB Tetovë, plotësisht njoftuan se Selver Xhemaili, më pas ka raportuar në polici se disa persona i kanë mbyllur dyert e Muftinisë.

“Sot në ora 07:30 në SPB- Tetovë, S.Xh. (52) nga Tetova ka raportuar se G.S. dhe Sh.Sh. i kanë mbyllur dyert e objektit të BFI-së në Tetovë dhe e kanë penguar të veprojë si u.d.Myfti, që të hynte dhe të kryente detyrat e punës, edhe pse kishte një vendim nga Bashkësia Fetare Islame të hartuar më 8 nëntor 2023. E njëjta gjë po ndodhte prej kohësh dhe në parandalim u përfshinë edhe persona të punësuar si roje në BFI. Menjëherë pas denoncimit të rastit, në vendngjarje janë dërguar efektivë të policisë për të parandaluar prishje të mundshme të rendit dhe qetësisë publike. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit”, informuan nga SPB Tetovë.

Nga Muftinia e Tetovës kanë publikuar informatë në faqen e tyre të Facebookut se sot nuk punojnë pasi e pastrojnë objektin.

“Sot më datë 31.01.2024 (e mërkurë), Myftinia e Tetovës ju njoftonë se nuk do të punojë për arsye se do bëhet pastrim gjeneral i objektit të saj!”, informojnë nga Muftinia.

Nga BFI, dolën me një komunikatë për situatën e krijuar, duke rikujtuar që muftiu Nesimi është i shkarkuar dhe qëndrimi në ndërtesën e muftinisë është i paligjshëm. Ata shtojnë se zyrat janë të uzurpuara, ndërkaq paralajmërojnë se nuk do të marrin përgjegjësi tani e tutje për “problemet që mund të ndodhin”.

“E ashtuquajtura mbrojtja e zyrave të Muftinisë me kërcënime dhe moslejimi për të marrë detyrën u.d. myftiut është vepër e paskrupullt dhe në kundërshtim me vendimet e Rijasetit të BFI e RMV Andaj, pas gjithë kësaj apelojmë te besimtarët, nëpunësit fetarë, mutevelinjtë e xhamive të mos bien pre e mashtrimeve të ish Myftiut, dhe se nuk mbajmë përgjegjësi për mjetet materiale, si dhe problemet tjera që mund të ndodhin. Zyrat e Muftinisë janë të uzurpuara nga persona të panjohur dhe jo të punësuar në muftini.  Kërkojmë nga organet e rendit që të zgjidhin këtë situatë në bazë të akteve normative”, thonë nga BFI.

Qani Nesimi dhe Shaqir Fetahu. Foto nga Myftinia e Tetovës
Qani Nesimi dhe Shaqir Fetahu. Foto nga Myftinia e Tetovës

Në kumtesë, BFI ka dhënë informata shtesë për arsyet e shkarkimit të Nesimit. Sipas tyre, Nesimi prej kur i ka humbur zgjedhjet (për kryetar të reisit, në garë me kryetarin aktual Shaqir Fetahu), nuk ka arritur ta tejkalojë, siç theksojnë, shqetësimin e humbjes dhe menjëherë filloi distancimin me organet më të larta të BFI.

“Pastaj mosraportimi dhe moskoordinimi me organet më të larta në sferën e denacionalizimit të pronave që rezultoi me humbjen e disa ndërtesave te Arabati dhe 12.000 m katror si dhe shatërvani të cilat tashmë në kadastër janë prona të Teteksit dhe vazhdon me të njëjtin qëndrim”, thonë nga BFI.

Ata akuzojnë Nesimin se i ka fyer organet më të larta të BFI-së dhe nuk ka lejuar komisionet inspektuese financiare të bëjnë kontrolle. Mbi Nesimin, BFI i ngarkon dhe akuzat për destabilizim të dhe keqpërdorime financiare.

Ndryshe më 18 nëntor të vitit 2020, me 18 vota “për” nga gjithsej 21 anëtarë të Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir efendi Fetahu u zgjodh kryetar i BFI-së. Kundërkandidati i tij, myftiu nga Tetova, Qani Nesimi, mori 3 vota.

Rijaseti i BFI-së më 8 nëntor të vitit 2023, i shkarkoi myftinjtë e Tetovës dhe Strugës dhe këtë vendim e bëri publik në Facebook. Pas kësaj, myftinitë vendimin e cilësuan jolegjitim sepse, sipas tyre, në mbledhjen e Rijasetit nuk kanë qenë të ftuar të gjithë anëtarët. BFI e ka publikuar vendimin duke u thirrur në disa nene të Kushtetutës së BFI-së. Por, versioni i fundit zyrtar i kushtetutës nuk mund të gjendet në ueb-faqen dhe as në kanalet e tjera zyrtare të këtij institucioni. Muftiu i Strugës pavarësisht kundërshtimit, e dorëzoi postin, ndërkaq muftiu i Tetovës vazhdoi refuzimin.

Një ditë pas shkarkimit të myftiut të Tetovës, Qani Nesimi, Myftinia Myftinia e Tetovës, e cila administron me 107 xhami dhe është e dyta pas Shkupit për nga numri i xhamive, ka mbajtur mbledhje në të cilën ka miratuar vendim, me të cilin shkarkimin e ka shpallur jolegjitim dhe jolegal.

“Shkarkimi i Muftiut aktual të Tetovës Prof.Dr. Qani ef. Nesimi i bërë në mbledhjen e Rijasetit të BFI-së të RMV-së, mbajtur më 08.11.2023 është jolegjitime dhe jolegale, si dhe emërimi i UD Mufti i Tetovës Dr. Selver ef. Xhemaili është bërë në një mbledhje jolegjitime dhe jolegale të Rijasetit të BFI-së të RMV-së”, thuhet në njoftimin e sotëm, i cili është publikuar në faqen e Facebook-ut të Myftinisë së Tetovës.

Në një bashkëbisedim me gazetarin e Portalb.mk, myftiu i shkarkuar Nesimi, i cili në zgjedhjet e fundit në BFI ishte kundërkandidat i Shaqir Fetahut për reis, tha se është shkarkuar për “qejfet e Shaqirit Fetahut” dhe se mbledhjen e Rijasetit e ka organizuar dhe mbajtur vetëm me personat e afërt të tij.

Emërimin e Selver Xhemailit për u.d. myfti të Tetovës, Selver Xhemaili, i cili paraprakisht ka qenë drejtor i Sektorit të Diasporës në BFI, Nesimi e quajti të “dhunshëm”. Ai porositi që të “respektohet kushtetutshmëria dhe me këtë do të ruhet edhe uniteti në BFI”.

LEXO: Myftinitë e Tetovës dhe Strugës të pakënaqura me shkarkimin e myftinjve, BFI nuk jep sqarime shtesë për arsyet

LEXO: Myftiu Nesimi flet për shkarkimin: Në BFI s’ka përçarje, por imponim të forcës nga Shaqir Fetahu