MPB e Maqedonisë mori pjesë në një operacion ndërkombëtar për shytpjen e mashtrimeve online të koordinuar nga Interpoli
Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Sektorit për Krim Kompjuterik, në bashkëpunim me Sektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, mori pjesë në operacionin ndërkombëtar “FIRSTLIGHT 2026” për luftimin e mashtrimeve online dhe pastrimit të parave, të koordinuar nga Interpoli, i cili u zhvillua në periudhën 15 janar – 30 prill 2026, transmeton Portalb.mk.
Në operacion morën pjesë institucionet kompetente nga 97 shtete dhe territore, me qëllim të përbashkët zbulimin dhe goditjen e mashtrimeve të kryera përmes metodës së inxhinierisë sociale (social engineering) dhe aktiviteteve të lidhura me pastrimin e parave.
Mashtrimet e bazuara në inxhinieri sociale janë një formë kriminaliteti, ku autorët keqpërdorin besimin e qytetarëve dhe personave juridikë për të përfituar në mënyrë të paligjshme para ose informacione konfidenciale. Në këtë kategori përfshihen mashtrimet përmes komprometimit të postës elektronike të bizneseve (Business E-mail Compromise), mashtrimet me investime, mashtrimet romantike, mashtrimet me paraqitje të rreme, shantazhi seksual online (sextortion) dhe forma të tjera të mashtrimeve në internet.
Në kuadër të operacionit, në nivel global u zhvilluan aktivitete intensive për shkëmbimin e informacioneve operative dhe të inteligjencës, kontrolle në lokacione të ndryshme, bllokimin dhe ngrirjen e llogarive bankare dhe portofolëve virtualë, si dhe u përdorën mekanizmat e Interpolit për ndalimin e shpejtë të transaksioneve të paligjshme financiare.
Operacioni në nivel global rezultoi me:
- Arrestimin e 5.811 personave;
- Identifikimin e më shumë se 142.000 viktimave;
- Analizimin e 152.808 rasteve;
- Zgjidhjen e 23.715 rasteve;
- Identifikimin e 15.606 personave të dyshuar;
- Bllokimin e 31.014 llogarive bankare;
- Sekuestrimin e rreth 293 milionë dollarëve amerikanë të përfituar në mënyrë të paligjshme;
- Lëshimin e 99 njoftimeve dhe difuzioneve përmes Interpolit.
Pjesëmarrja e Ministrisë së Punëve të Brendshme në këtë operacion global konfirmon edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar policor në luftën kundër krimit kibernetik, krimit financiar dhe grupeve të organizuara kriminale ndërkombëtare.
“Ministria do të vazhdojë të bashkëpunojë në mënyrë aktive me Interpolin dhe partnerët ndërkombëtarë për zbulimin, parandalimin dhe ndjekjen penale të autorëve të mashtrimeve online, si dhe për mbrojtjen e qytetarëve nga format gjithnjë e më të sofistikuara të krimit digjital”, thuhet në njoftim.