Në Durrës u arrestuan dy anëtarë të grupit të organizuar kriminal “Bellanoca” (VIDEO)

Në një aksion të përbashkët të Policisë së Maqedonisë së Veriut, Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së SHBA-së (DSS) dhe autoriteteve të sigurisë së Shqipërisë, në Durrës u arrestuan dy anëtarë të grupit të organizuar kriminal “Bellanoca”, transmeton Portalb.mk.

Bazuar në informacionet e siguruara nga Policia e Maqedonisë së Veriut, në Durrës, Shqipëri, u zhvillua një operacion ndërkombëtar policor, gjatë të cilit u arrestuan M. Xh. (26), i lindur në Shkup, dhe S. N. (34), i lindur në Norvegji. Të dy janë anëtarë të grupit të organizuar kriminal “Bellanoca”, ndaj të cilëve Interpoli kishte lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare për veprat penale: “vrasje”, “tentativë për vrasje”, “lëndim i rëndë trupor”, “prodhim, posedim dhe tregtim i paligjshëm i armëve ose lëndëve shpërthyese” dhe “bashkim kriminal”.

Gjatë arrestimit, autoritetet u gjetën të dyshuarve dokumente personale të falsifikuara, për të cilat dyshohet se i kanë përdorur për të dalë nga territori i Maqedonisë së Veriut dhe për t’iu shmangur drejtësisë.

Ky operacion është rezultat i një bashkëpunimi disamujor ndërmjet Policisë së Maqedonisë së Veriut, Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së SHBA-së (DSS) dhe autoriteteve të sigurisë të Republikës së Shqipërisë.

“Arrestohen në Durrës 2 shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të kërkuar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje, si dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Në momentin e ndalimit, atyre iu gjetën dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se i kanë përdorur për të dalë nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Arrestohet në flagrancë dhe shtetasi nga RMV-ja, që dyshohet se iu ka siguruar të kërkuarve, dokumentet false. Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe intensiv ndërmjet strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë, përmes skuadrave të përbashkëta hetimore dhe aksioneve të koordinuara operacionale, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Departamentit të Policisë Kriminale në DPPSh, në bashkëpunim me partnerët ligjzbatues amerikanë me prezencë në rajon, me shërbimet e DVP Durrës dhe me homologët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, finalizuan operacionin e koduar “Fury””, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.


Grupi kriminal “Bellanoca–Baron” konsiderohet një nga grupet më të rrezikshme të krimit të organizuar në Maqedoninë e Veriut. Në fund të vitit 2024, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj 18 anëtarëve të dyshuar për vrasje, shoqatë kriminale, zhvatje, armëmbajtje pa leje dhe vepra të tjera të rënda.

Sipas hetimeve, grupi lidhet me disa vrasje të kryera ndër vite, disa me porosi e të tjera si hakmarrje, si dhe me zjarrvënie të automjeteve dhe objekteve për të ushtruar presion dhe zhvatje. Gjatë operacionit policor “Bunker” u kryen bastisje në dhjetëra lokacione në Shkup, ku u sekuestruan armë, para, ar dhe prova të tjera materiale. Gjykimi ndaj anëtarëve të grupit po zhvillohet në Burgun e Idrizovës nën masa të larta sigurie.