Mori vendin e parë në botë për paraglajd, Lisjeta Thaçi: Synoj Kampionatin Evropian

Në një sport që kërkon guxim, precizitet absolut dhe përgatitje të jashtëzakonshme, Lisjeta Thaçi ka arritur të ngjitet në majën e botës, duke u renditur e para në botë në kategorinë e vajzave në paraglajd të precizionit. Në një intervistë për Portalb.mk, Lisjeta foli për sakrificat që fshihen pas këtij suksesi, sfidat e sportit, mbështetjen që ka pasur gjatë rrugëtimit dhe mesazhin që ka për vajzat që ëndërrojnë të ndjekin këtë rrugë.

Portalb.mk: Jeni renditur në vendin e parë në botë në kategorinë e vajzave në paraglajd, sa të ka kushtuar realisht ky rrugëtim: financiarisht, fizikisht dhe emocionalisht?

Lisjeta Thaçi: Të jesh e para në botë është rezultat i një rruge të gjatë dhe plot sfida. Ky rrugëtim ka kërkuar shumë sakrifica, financiarisht është një sport i kushtueshëm, me shpenzime për pajisje, udhëtime dhe gara; fizikisht kërkon përkushtim dhe përgatitje të vazhdueshme; ndërsa emocionalisht ka pasur momente dyshimi dhe presioni. Megjithatë, edhe në ato momente, përkrahja e pandërprerë nga Klubi Aeronautik “Shqiponjat e Kastriotit”, udhëheqja e trajnerit Fanol Shala dhe vullneti im për të arritur majat, kanë qenë gjithmonë forca që më ka shtyrë përpara.

Portalb.mk: Çfarë e bën paraglajdin e precizionit kaq të vështirë dhe çfarë detaji vendos fituesin? Si mendon se ky sukses do të ndikojë në imazhin e Kosovës në sportet ajrore në botë?

Lisjeta Thaçi: Paraglajdi i precizionit është shumë i vështirë sepse kërkon kontroll absolut, fokus maksimal dhe vendime të sakta në sekonda. Çdo detaj bën diferencën, nga leximi i erës deri te momenti i uljes. Ky sukses mendoj që ka një ndikim shumë pozitiv në imazhin e Kosovës, duke treguar që kemi talent dhe potencial edhe në sportet ajrore në nivel botëror.

Fotografi nga arkivi personal i Lisjeta Thaçit. Foto: Lisjeta Thaçi (Instagram)
Fotografi nga arkivi personal i Lisjeta Thaçit. Foto: Lisjeta Thaçi (Instagram)

Portalb.mk: Sa mbështetje ke pasur nga Federata Aeronautike e Kosovës dhe çfarë do të doje të përmirësohej për sportistët?

Lisjeta Thaçi: Kam pasur mbështetje nga Federata Aeronautike e Kosovës, por gjithmonë ka hapësirë për përmirësim. Sportistët kanë nevojë për më shumë përkrahje financiare, organizim më të mirë dhe mundësi më të mëdha për pjesëmarrje ndërkombëtare, në mënyrë që të zhvillohen dhe të konkurrojnë në nivelet më të larta.

Portalb.mk: A ke qenë ndonjëherë e nënvlerësuar si vajzë në këtë sport, dhe a të ka shtyrë kjo të “hakmerresh” me rezultate? 

Lisjeta Thaçi: Përkundrazi, në asnjë moment nuk jam ndier e nënvlerësuar si vajzë në këtë sport. Mbështetjen më të madhe e kam pasur dhe vazhdoj ta kem nga të gjithë pilotët, pa marrë parasysh gjininë. Një nga gjërat që e vlerësoj më shumë në paraglajd është fakti që, përveç kategorisë së vajzave, kemi mundësinë të garojmë edhe në kategorinë “overall”, gjë që tregon qartë vlerësimin dhe hapësirën e barabartë që u jepet femrave në këtë sport.

Fotografi nga arkivi personal i Lisjeta Thaçit. Foto: Lisjeta Thaçi (Instagram)
Fotografi nga arkivi personal i Lisjeta Thaçit. Foto: Lisjeta Thaçi (Instagram)

Portalb.mk: Çfarë do t’u thoshe vajzave që e duan paraglajdin, por po ndalen nga frika, paragjykimet apo mungesa e mbështetjes, cili është hapi i parë konkret që duhet ta bëjnë sot?

Lisjeta Thaçi: Vajzave që e duan paraglajdin do t’u thosha: mos lejoni frikën apo paragjykimet t’ju ndalin. Hapi i parë është të besoni në veten tuaj dhe të filloni, qoftë edhe me një trajnim bazë. Çdo gjë tjetër vjen me kohë dhe përkushtim.

Portalb.mk: Cili është objektivi yt i radhës: ta mbrosh titullin, rekorde të reja, apo gara të tjera ndërkombëtare?

Lisjeta Thaçi: Objektivi im i radhës është të vazhdoj të mbroj titullin dhe të vendos rekorde të reja. Synoj gjithashtu të marr pjesë në sa më shumë gara ndërkombëtare dhe të vazhdoj të përfaqësoj Kosovën me dinjitet. Një nga garat më të rëndësishme të këtij viti është Kampionati Evropian, ku synimi ynë është të dominojmë në të gjitha kategoritë.

Fotografi nga arkivi personal i Lisjeta Thaçit. Foto: Lisjeta Thaçi (Instagram)
Fotografi nga arkivi personal i Lisjeta Thaçit. Foto: Lisjeta Thaçi (Instagram)