Mite Stefoski nga VMRO-DPMNE u zgjodh kryetar i Këshillit Komunal të Strugës
Mite Stefoski nga VMRO-DPMNE u zgjodh kryetar i Këshilli i Komunës së Strugës me 14 vota “për” dhe 9 “kundër”. Bllokada për zgjedhjen e kryetarit ka zgjatur dy muaj për shkak se siç deklaroi kryetari i Komunës Mendi Qyra para një jave, bllokadës nga opozita, transmeton Portalb.mk.
“Nëse opozita vazhdon me bllokime dhe metoda që e paralizojnë Këshillin, e pasi të plotësohen kushtet ligjore, do të organizohen zgjedhje të parakohshme për Këshillin e Komunës të Strugës, që qytetarët t’ua japin përgjigjen e merituar politikave të tilla. Ka përfunduar koha e bllokadave dhe politikave nga të cilat përfitojnë vetëm individë të caktuar. Komuna e Strugës do të vazhdojë të punojë në interes të qytetarëve”, deklaroi Qyra.
Ai akuzoi se këshilltarët nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në krye me BDI-në, LSDM-ja dhe ish-kryetarin Ramiz Merko kanë formuar, siç tha ai, një koalicion të fshehtë me qëllim që të paralizohet puna e komunës dhe realizimi i projekteve.
“Qëllimi është që të bllokohet zhvillimi i komunës dhe mirëqenia e qytetarëve. Me bojkotimin e Këshillit AKI, LSDM dhe Merko treguan se nuk u interesojnë qytetarët dhe projektet, por vetëm interesat personale. Këshilltarët e koalicionit antiqytetar nuk morën pjesë në seancë me qëllim që të mos miratohen programet buxhetore, të cilat përfshijnë projekte të rëndësishme për vitin 2026 në vlerë prej rreth 5 milionë eurosh. Opozita vazhdon me agoninë”, tha Qyra.
Përbërja e re e Këshillit të Komunës së Strugës numëron 23 këshilltarë, nga të cilët tetë janë nga koalicioni AKI i udhëhequr nga BDI-ja, gjashtë nga VMRO-DPMNE-ja, katër nga “VLEN”-i, tre nga listat e pavarura dhe nga një këshilltar nga LSDM dhe E Majta.
Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale Këshilli i Komunës mund të shpërbëhet me iniciativë të vet nëse për këtë deklarohet shumica e anëtarëve të tij, nëse përsëri sjell një dispozitë që paraprakisht është shfuqizuar ose anuluar nga Gjykata Kushtetuese, nëse merr vendime me të cilat rrezikohet sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës, nëse nuk mblidhet më shumë se gjashtë muaj ose nëse nuk e miraton buxhetin dhe llogarinë përfundimtare të buxhetit deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.
Ndryshe, Mendi Qyra më 10 nëntor e mori mandatin e kryetarit, si kandidati i pavarur i mbështetur nga VLEN dhe VMRO-DPMNE. Ai fitoi në balotazhin e 2 nëntorit ku kundërkandidat ishte Arsim Dalipi nga Aleanca Kombëtare për Integrim.