Ministria e Shëndetësisë paralajmëroi aplikacion të ri për lehtësimin e komunikimit me pacientët
Ministria për Shëndetësi në Maqedoninë e Veriut po përgatit softuer të ri që do të krijojë komunikim më të lehtë mes pacientit dhe sistemit shëndetësor, transmeton Portalb.mk.
“Aplikacioni do t’i mundësojë pacientit që në çdo kohë të fusë tregues shëndetësorë, mbi bazën e të cilëve mjeku amë ose specialisti do të mund të reagojë menjëherë – duke ndryshuar terapinë ose duke dhënë rekomandime për trajtim të mëtejshëm. Nëse sistemi detekton vlera jashtë normales, do të alarmojë automatikisht,” deklaroi ministri i shëndetësisë, Azir Aliu.
Ai vlerësoi që përmes këtij ndryshimi do të ketë transformim digjital.
“Jemi në fazën përfundimtare të protokolleve. Fillimisht, trajtimi do të bëhet me asistencë përmes telemjekësisë nga Shkupi, por së shpejti presim që në këto qendra të vendosen edhe simulatorë CT, me ç’rast pacientët do të marrin shërbime cilësore më afër shtëpive të tyre”, deklaroi Aliu.
Ministri paralajmëroi harmonizimin e 12 ligjeve që të ketë më shumë transparencë dhe efikasitet.
Në lidhje me decentralizimin e shërbimeve onkologjike, ai paralajmëroi shtrirjen e tyre edhe në spitalin e Shtipit, Tetovës, Manastirit dhe në Shkup te “8 Shtatori”.