Ministria e Shëndetësisë: Gjendja në Gostivar është stabile

Ministria e Shëndetësisë njofton se situata epidemiologjike në Gostivar është stabile dhe vazhdon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga institucionet kompetente shëndetësore, shkruan Portalb.mk.

Gjatë 1 gushtit janë regjistruar 57 kontrolle të para, ose tre më pak krahasuar me një ditë më parë, kur ishin evidentuar 60 raste. Sipas Ministrisë, nuk është regjistruar asnjë hospitalizim i ri.

Deri më 1 gusht janë evidentuar gjithsej 1.041 raportime zyrtare për sëmundje infektive, ndërsa janë realizuar edhe 734 anketa të reja epidemiologjike.

Sa i përket etheve të Nilit Perëndimor, Instituti i Shëndetit Publik nuk ka raportuar asnjë rast të ri të konfirmuar laboratorikisht.

Ministria e Shëndetësisë, në koordinim me Institutin e Shëndetit Publik dhe institucionet e tjera kompetente, thekson se do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe do ta informojë opinionin në kohë për çdo zhvillim të ri.

Ndryshe, më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të raportimeve të qytetarëve për probleme me stomakun.

Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.

Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.