Nxënësit në Gostivar diskutuan për problemet që i shqetësojnë, nga mungesa e librave te transporti publik dhe lajmet e rreme

Mungesa e librave shkollorë, problemet me transportin publik, qentë endacakë dhe përhapja e lajmeve të rreme përmes inteligjencës artificiale ishin disa nga shqetësimet që ngritën nxënësit e Shkollës së Mesme Ekonomike “Gostivar”, gjatë një diskutimi të hapur me gazetarët e Portalb.mk. Takimi u mbajt sot, më 26 tetor, me nxënës të disa klasave, me qëllim që të rinjtë të kenë më shumë hapsirë për të shprehur problemet që i prekin dhe që zëri i tyre të dëgjohet më shumë në media.

Në kuadër të takimit, nxënësit u njohën me konceptin e gazetarisë konstruktive, qasjen e raportimit që nuk kufizohet vetëm në identifikimin dhe kritikimin e problemeve, por kërkon të shqyrtojë edhe zgjidhjet e mundshme. U diskutua për rolin e mediave në shoqëri, rëndësinë e informimit të saktë dhe nevojën që gazetaria t’u kushtojë më shumë vëmendje çështjeve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, veçanërisht të rinjve.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe dezinformimit dhe ndikimit të teknologjisë në mënyrën se si të rinjtë informohen. Në këtë drejtim, u diskutua për përhapjen e lajmeve të rreme, përmbajtjeve të manipuluara dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për krijimin e materialeve që mund të duken autentike, por që nuk pasqyrojnë realitetin. U theksua rëndësia e verifikimit të burimeve dhe e mendimit kritik përpara se një informacion të besohet apo të shpërndahet në rrjetet sociale.

Takimi me nxënësit në Shkollën e Mesme Ekonomike "Gostivar". Foto: Portalb.mk
Elida Zylbeari. Takimi me nxënësit në Shkollën e Mesme Ekonomike “Gostivar”. Foto: Portalb.mk

Pas diskutimit për gazetarinë dhe median, nxënësit patën mundësinë të flasin hapur për sfidat me të cilat përballen në shkollë dhe jashtë saj.

Një ndër problemet kryesore që ngritën ishte mungesa e teksteve shkollore. Nxënësit treguan se për disa lëndë nuk kanë libra dhe detyrohen të mësojnë nga materiale të fotokopjuara ose nga përmbajtje që i sigurojnë në formë elektronike. Kjo mënyrë e zhvillimit të mësimit, sipas tyre, ua vështirëson procesin e të nxënit dhe i bën të varur nga materiale alternative, në vend që të kenë në dispozicion tekstet e nevojshme shkollore.

Problem tjetër i diskutuar ishte transporti publik, përkatësisht vështirësitë që hasin nxënësit gjatë udhëtimit për në shkollë dhe kthimit në shtëpi. Duke qenë se një pjesë e nxënësve udhëtojnë çdo ditë nga vendbanime të ndryshme drejt Gostivarit, funksionimi i transportit paraqet nevojë të përditshme për ta.

Nxënësit ngritën edhe problemin e qenve endacakë, të cilët përbëjnë shqetësim për sigurinë e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të rinjve që lëvizin nëpër hapsirat publike. Kjo çështje u diskutua edhe nga këndvështrimi i përgjegjësisë së institucioneve për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme, duke garantuar sigurinë e qytetarëve dhe trajtimin human të kafshëve.

Takimi me nxënësit në Shkollën e Mesme Ekonomike "Gostivar". Foto: Portalb.mk
Takimi me nxënësit në Shkollën e Mesme Ekonomike “Gostivar”. Foto: Portalb.mk

Përmes këtij bashkëbisedimi, nxënësit patën mundësinë jo vetëm të identifikojnë problemet, por edhe të diskutojnë për rëndësinë e raportimit të tyre në media dhe kërkimit të përgjegjësisë nga institucionet kompetente.

Takimi në Shkollën e Mesme Ekonomike “Gostivar” ishte pjesë e fushatës së Ditëve të Edukimit Mediatik dhe përpjekjeve të Portalb.mk për t’i përfshirë më shumë të rinjtë në diskutimet publike dhe për t’u dhënë hapësirë temave që shpesh mbeten jashtë vëmendjes mediatike.

Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.