Ministria e Mjedisit: Nuk ka pasur rrjedhje të lindanit në OHIS

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor (MMJPH) më 25 tetor të vitit 2025 kumtuan se nuk ka pasur rrjedhje të lindanit në lokacionin e kompleksit të mëparshëm industrial OHIS. Sipas MMJPH-së gjatë një inspektimi të jashtëzakonshëm të kryer në orët e mbrëmjes të së mërkurës, më 22 tetor, nuk janë konstatuar lëshime të sigurisë, e as shenja të rrjedhjes, transmeton Portalb.mk.

Edhe pse në kumtesën e djeshme të Ministrisë së Mjedisit Jetësor thuhet se “nuk ka rrjedhje të lindanit në OHIS” është e paqartë se për çfarë saktësisht bëhet fjalë, sepse përveç deponisë së vogël të mbuluar dhe pothuajse të pastruar në oborrin e ОHIS-it ekziston edhe një deponi e madhe me lindan që nuk është sanuar në asnjë mënyrë dhe nga e cila lindani kancerogjen “rrjedh” dhe shpërndahet gjatë çdo reshje të shiut dhe çdo ere më të fortë.

Nga Ministria theksuan se po e zbatojnë në vazhdimësi procesin e sanimit dhe, siç thonë nga atje, “grumbulli i vogël i lindanit” është në fazën e tij përfundimtare. Kjo e nënkupton deponinë e vogël të lindanit. Nga atje thonë edhe se tashmë po shqyrtojnë “zgjidhje të qëndrueshme” për “grumbullin e madh”, që e nënkupton deponinë e madhe të lindanit në oborrin e OHIS-it, ku vlerësohet se ka më shumë se 50.000 ton tokë të kontaminuar dhe lindan kancerogjen. Një deponi e ngjashme me 40.000 ton lindan ndodhet në zonën e Pelenicës në Draçevë, në afërsi të së cilës shkojnë në ekskursione fëmijët nga shkollat ​​e asaj zone.

Siç publikoi më parë Meta.mk, në kuadër të aktiviteteve të deritanishme nga shtatori i vitit 2021 deri më sot janë transportuar dhe asgjësuar 1.932 ton mbetje HCH me përqendrim të lartë (lindan) dhe 586 ton tokë e kontaminuar me izomerë HCH, ndërsa në deponinë e vogël mbeten 636 ton lindan, 2.613 ton tokë e kontaminuar, 1.120 ton beton i kontaminuar dhe rreth 70 ton merkur.

Në korrik të këtij viti analizat e kryera nga kompania holandeze TAU treguan se sasia e lindanit në deponinë e vogël është rreth 51 përqind më e lartë se përllogaritjet fillestare, ndërsa toka e kontaminuar është rreth 61 përqind më thellë në tokë. Bazuar në këtë, ekspertët prezantuan dy skenarë financiarë për përfundimin e pastrimit në një periudhë prej rreth 36 muajsh, me shpenzime të përgjithshme nga 10,5 deri në 20 milionë euro, në varësi të mënyrës së trajtimit të betonit.

Në gusht të këtij viti është vënë re se për shkak të një gypi të plasur të ujësjellësit në afërsi të OHIS-it për dy muaj ka rrjedhur ujë i pijshëm i pastër dhe në oborrin e fabrikës është krijuar një liqen i vogël, gjë që ngriti shqetësime se ky ujë mund të arrinte edhe në zonën e gërmimit në deponinë e vogël. Pas raportimit të mediave për këtë defekt NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime” doli në terren dhe në koordinim me Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit Jetësor (ISHMJ) defekti u sanua, uji u tërhoq dhe, siç konfirmuan nga ISHMJ më 25 gusht, nuk kishte më rrezik që të prekeshin basenet nga të cilat nxirret lindani.

Lindani dhe izomerët e tij nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin klasifikohen si substanca kancerogjene të grupit 1, me një lidhje të dëshmuar me limfomën Non-Hodgkin.

Profesori Trajçe Stafillov nga Instituti i Kimisë pranë FSHNM-së, në hulumtimet e tij ka gjetur lindan në ujërat e lumit Vardar përpara Velesit. Deponia e madhe në zonën e OHIS-it, por edhe ajo në Pelenicë nuk kanë kurrëfarë mbrojtje. Prandaj, ndikimi i substancës kancerogjene jo vetëm që përcillet tek ujërat, por edhe në tokë dhe ajër. Sa i përket rrezes së kontaminimit, ajo vetëm mund të supozohet.

Lindani është një kimikalie e qëndrueshme që nuk dekompozohet në mjedisin jetësor për një periudhë të gjatë kohore. Meqenëse është një substancë e avullueshme, ai shpërndahet nga toka e kontaminuar dhe gjendet edhe në grimcat PM.

Ekspozimi ndaj lindanit mund të ndodhë nga konsumimi i ushqimit të kontaminuar ose thithja e ajrit të kontaminuar me lindan. Ekspozimi kronik (afatgjatë) me anë të thithjes së lindanit tek njerëzit lidhet me sëmundje të mëlçisë dhe gjakut, si dhe me çrregullime të sistemit nervor, kardiovaskular, imunitar dhe riprodhues.

Lindani u përfshi në Konventën e Stokholmit në vitin 2009 kur u klasifikua në Grupin A, një substancë që duhet të eliminohet dhe prodhimi i të cilës duhet të ndalohet. Maqedonia e nënshkroi konventën më 23 maj të vitit 2001 dhe më 19 mars të vitit 2004 ajo u ratifikua nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë.