Në deponinë e vogël në Ohis ka zhivë dhe më shumë lindan nga sa që pritej, pastrimi do të kushtojë deri në 20 milionë euro

Sipas analizave të kompanisë holandeze TAU, që përfunduan në muajin maj të këtij viti, në deponinë e vogël në Ohis ka për 50 përqind më shumë lindan se sa që u vlerësua fillimisht. Në të ka edhe 70 ton zhivë, e cila gjithashtu do të duhet të largohet dhe të shkatërrohet në mënyrë të sigurt. Rezultatet e analizës do të ndikojnë si në afatin kohor ashtu edhe në shpenzimet për pastrimin e deponisë, edhe pse gjatë analizave u konstatua edhe se sasitë e tokës së kontaminuar janë dukshëm më të ulëta sesa ishin vlerësuar fillimisht. Sipas parashikimeve të fundit, pastrimi i deponisë së vogël do të zgjasë edhe tre vjet dhe do të kushtojë nga 10 deri në 20 milionë euro, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në deponinë e vogël ka edhe 636 ton lindan, 2.613 ton tokë të kontaminuar, 1.120 ton beton të kontaminuar dhe rreth 70 ton zhivë. Rreth 1.781 ton tokë që ndodhet midis baseneve nuk rekomandohet për trajtim termik dhe do të mbetet në deponinë e vogël për shkak të nivelit të ulët të kontaminimit.

“Analiza e pjesës së mbetur në deponinë e vogël përfundoi në maj të këtij viti nga kompania holandeze TAU, ndërsa rezultatet iu prezantuan përfaqësuesve të Ministrisë, Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë dhe ekspertëve vendas të mjedisit jetësor, me ç’rast u diskutuan edhe zgjidhjet e mundshme për pastrimin e deponisë së vogël”, informuan nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor.

Krahasuar me analizat e kryera para fillimit të pastrimit të deponisë, ka ndryshime të mëdha sa  i përket sasive, d.m.th. mbetjet e HCH janë 51 përqind më shumë, ndërsa tokë të kontaminuar 61 përqind më pak. Nga Ministria thonë se bazuar në sasitë e supozuara të mbetura në deponinë e vogël, ekspertët e TAU prezantuan dy skenarë me një konstruksion financiar.

Sipas skenarit të parë, nëse krahas trajtimit termik të mbeturinave dhe tokës së kontaminuar në llogaritje përfshihen edhe 1.120 ton beton, që nënkupton thërrmimin, copëtimin, paketimin, transportin dhe trajtimin termik të tij, burimet e përgjithshme financiare që nevojiten do të arrinin në rreth 20 milionë euro. Sipas skenarit të dytë, nëse krahas trajtimit termik të mbeturinave dhe tokës bëhet vetëm pastrimi i betonit, pra mbështjellja e tij në një gjeomembranë dhe ruajtja në deponinë e vogël në vendin e baseneve të gërmuara, atëherë shpenzimet e vlerësuara do të arrinin në rreth 10,5 milionë euro.

Në të dy skenarët parashikohet një periudhë kohore prej afërsisht 36 muajsh për zbatimin e plotë të aktiviteteve. Për momentin në Fondin e më shumë partnerëve të destinuar për pastrimin e deponisë ka afërsisht 600.000 euro të siguruara nga Qeveria, ndërsa deri më tani në të kanë marrë pjesë edhe Mbretëria e Norvegjisë dhe Bashkimi Evropian.

“Vazhdimi i punimeve varet nga sigurimi i burimeve të mjaftueshme financiare, për të cilat UNOPS, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor dhe Sekretariati i Përgjithshëm po punojnë në mënyrë aktive për të gjetur fonde shtesë për pastrimin e deponisë së vogël. Të gjitha aktivitetet e mëtejshme që lidhen me përzgjedhjen e një kompanie për të kryer punimet operative do të kryhen në përputhje me rregullat dhe rregulloret e prokurimit të UNOPS”, thanë nga Ministria.

Pastrimi i lindanit nga OHIS filloi në shtator të vitit 2021, ndërsa deri më tani janë transportuar dhe shkatërruar 1.932 ton mbetje të HCH me përqendrim të lartë dhe 586 ton tokë e kontaminuar me izomerë HCH. Lindani i nxjerrë është transportuar dhe shkatërruar në Tredi në Francë, ndërsa toka e kontaminuar me HCH transportohet në Indaver në Gjermani.

Në oborrin e OHIS pranë deponisë të vogël ndodhet deponia e madhe e lindanit, e cila supozohet se përmban rreth 50.000 ton lindan. Përveç këtyre të dyjave, lindan ka edhe në zonën Pelenica në afërsi të Draçevës, ku ndodhen rreth 40.000 ton HCH të pastër dhe 6.500 ton të përzier, së bashku me mbeturinat nga një fabrikë e qelqit.