Mbrojtja e Dojranit goditi në murin e ndërtimeve pa leje të legalizuara
Pa plan të miratuar, nuk ka as njerëz, e as para për natyrën
Kaloi gjysmë viti nga vlefshmëria e Planit për menaxhimin e Liqenit të Dojranit si monument i natyrës për periudhën nga viti 2026 deri në vitin 2035. Por, në vend që të përgatiten vlerësimet e para se si po zbatohet ai, plani ende as që është miratuar, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Ky dokument strategjik i cili u punua me vite dhe i cili duhet të sigurojë një mbrojtje më cilësore të mjedisit jetësor, natyrës dhe biodiversitetit në rajon, është bllokuar sepse Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komuna e Dojranit nuk mund të merren vesh për fatin e disa ndërtimeve në vetë bregun e liqenit, në mesin e të cilave ka të paktën një ndërtim pa leje të legalizuar.
Plani duhet t’i mundësojë komunës, e cila ka rreth njëzet punonjës dhe vetëm një nëpunës të ngarkuar për mjedisin jetësor, qasje në kapacitete shtesë financiare dhe njerëzore që të mund të kujdeset për liqenin dhe vlerat e tij natyrore. Ky është një detyrim i saj sipas Ligjit për natyrën, sipas të cilit vendet e shpallura si monumente të natyrës menaxhohen nga pushteti lokal.
Vlerat natyrore të Liqenit të Dojranit njihen që moti, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht. Ai është pjesë e rrjetit Ramsar, si dhe është caktuar edhe si një zonë potenciale nga rrjeti evropian Natura 2000, para së gjithash, për shkak të rëndësisë që ka për shpendët, si ata vendas ashtu edhe ata shtegtarë. BIRN tashmë ka shkruar se rreth një e treta e llojeve të shpendëve që mund të gjenden në Maqedoni hasen në Liqenin e Dojranit dhe rreth tij. Mirëpo, numri i tyre ndryshon dhe i disa llojeve po zvogëlohet për shkak të aktiviteteve njerëzore, humbjes së habitateve të kallamit, si dhe për shkak të faktorëve klimatikë.
Për ta ndaluar, ose të paktën për ta zbutur ndikimin negativ të këtyre faktorëve, është e nevojshme të miratohen dokumentet planore dhe të ndërtohen kapacitetet për mbrojtje.
Sa hapa janë 50 metra nga bregu
Për të hyrë në fuqi Plani për menaxhim me liqenin duhet të miratohet nga këshilli komunal, por paraprakisht ai duhet të marrë pëlqimin nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Këtu procesi ka ngecur që nga maji i vitit të kaluar kur Ministria dërgoi vërejtje. Ne i kërkuam vërejtjet nga Ministria, por në përgjigjen e tyre të shkurtër thuhet se për to duhet t’i drejtohemi Komunës së Dojranit.
Sipas shqyrtimit që u bëmë një pjese të dokumenteve, një nga vërejtjet është legalizimi i një ndërtimi pa leje në vendin e quajtur Karaç, mes Dojranit të Vjetër dhe Dojranit të Ri. Ky objekt ndodhet në vetë bregun e liqenit, në anën e poshtme të rrugës dhe është legalizuar pa marrë mendim profesional nga sektori i natyrës pranë Ministrisë. Në vërejtjet e tjera thuhet se në Dojran po vazhdon ndërtimi i objekteve me karakter të përhershëm në kundërshtim me dispozitat e ligjit me të cilin liqeni u shpall monument i natyrës. Ministria ka paralajmëruar se kapaciteti i autokampit të improvizuar Karaç po rritej në mënyrë të paligjshme.
“Me Ministrinë debatuam për atë se si të përcaktohet brezi mbrojtës prej 50 metrash nga bregu, sepse për ndërtime në atë zonë nevojitet pëlqim nga menaxhimi i ujërave“, tha kryetari i Komunës së Dojranit, Ilija Tentov.
Në Ligjin për shpalljen e Liqenit të Dojranit si monument të natyrës thuhet se duhet të krijohet një brez mbrojtës prej 10 deri në 50 metra. Në të ndalohet plotësisht ndërtimi i objekteve të përhershme në një zonë prej 50 metrash nga bregu.
Por, imazhet historike satelitore tregojnë se që nga miratimi i këtij ligji në vitin 2011 e deri më sot në afërsi të ujit ka disa objekte të ndërtuara ose të zgjeruara. Më së shumti ndërtohet në lokacionin e quajtur Karaç, ku në vitin 2009 para se të miratohej ligji nuk kishte asnjë objekt, përveç një kantieri të vjetër dhe të braktisur ndërtimi. Në vitin 2013 në imazhet satelitore mund të shihen rreth njëzet vikend shtëpiza më të vogla, ndërsa sot ajo është një nga zonat më të mëdha të ndërtimit në pjesën juglindore të vendit me rreth dhjetë ndërtesa shumëkatëshe dhe kantierë aktivë ndërtimi. Vetëm një pjesë e vogël e këtyre objekteve janë në afërsi të ujit, shumica e tyre ndodhen në anën e sipërme të rrugës.
Por, në plazhin afër Sretenovës po ndërtohet një ndërtesë shumëkatëshe mu pranë vijës së bregut dhe për shkak të saj MPB ka ngritur kallëzim penal kundër administratës së mëparshme komunale, me pretendimin se leja e ndërtimit është lëshuar në kundërshtim me dispozitat ligjore me të cilat mbrohet liqeni. Objekti tashmë është ndërtuar deri në katin e katërt.
“Ne nuk kemi të bëjmë me këtë, i dhamë informacionet që na u kërkuan, ndërsa procedurën po e ndjek Prokuroria“, tha Tentov.
Kryetari i komunës shton se janë në bisedime me Ministrinë për të gjetur një zgjidhje për ndërtimet, por për momentin zgjidhje ende nuk ka. Sipas tij, shfuqizimi i legalizimeve për shkak të mungesës së lejes për menaxhimin e ujërave do të ishte i ndërlikuar dhe do të duhej të kalonte përmes një procedure administrative.
Pesë dekada mbrojtje pa mbrojtje
Çfarë do të thotë kjo pritje? Vitin e ardhshëm do të shënohen plot 50 vjet që kur Liqeni i Dojranit mori për herë të parë statusin e mbrojtur me ligj në ish Jugosllavi. Në vitin 2011 ai u shpall monument i natyrës në përputhje me Ligjin për natyrën të Maqedonisë. Mirëpo, pas shpalljes nuk pati shumë aktivitete për ta zbatuar mbrojtjen në praktikë, me dokumente përkatëse planore.
Në vitin 2019 përfaqësues të shoqatës së Shkupit “Milieukontakt Maqedonia“, një organizatë eksperte për mjedisin jetësor, zhvilluan takimet e para me Komunën e Dojranit, në të cilat u bisedua për hartimin e një plani për menaxhimin e liqenit si monument i natyrës. Që atëkohë filloi një proces në të cilin u përfshinë disa ekspertë, ekipe, një këshill shkencor, një këshill i palëve të interesuara dhe disa institucione, si administrata komunale, Ministria e Mjedisit Jetësor e të tjerë. Pas një pune disavjeçare për herë të parë është përgatitur një dokument planor për këtë liqen, i cili parasheh aktivitete të sakta me të cilat mbrojtja e vlerave natyrore mund të bëhet realitet. Por, nëse ai do të miratohet dhe nëse do të fillojë të zbatohet ende mbetet e paqartë.
Plani ende nuk është publikuar, u prezantua vetëm vlerësimi strategjik për ndikimin e tij në mjedisin jetësor. Në këtë dokument ka detaje se si duhet të funksionojë mbrojtja në të ardhmen në një sipërfaqe prej rreth 27 kilometrash katrorë, e cila përfshin pjesën e liqenit në Maqedoni dhe një pjesë të bregut.
Me planet dhe programet e tij operative duhet t’i qasemi çdo kërcënimi individual për zonën e mbrojtur – ujërat e zeza, turizmi masiv, peshkimi i paligjshëm, urbanizimi i pakontrolluar, kërcënimet ndaj nivelit të ujit si një nga problemet më serioze, e të tjerë. Për çdo aktivitet janë paraparë indikatorë sipas të cilëve do të mund të ndiqet progresi.
Ndër dispozitat më të rëndësishme është formimi i një trupi menaxhues me kapacitete të duhura njerëzore, financiare dhe burime materiale, i cili do të mund të vendosë një menaxhim të qëndrueshëm me zonën e mbrojtur. Mbrojtja e liqenit do të nënkuptojë riorganizim të komunës, sistematizim me vende të reja pune, si dhe themelimin e një shërbimi të rojeve.
“Plani mundëson mbrojtje dhe menaxhim të duhur me Liqenin e Dojranit me Komunën e Dojranit si menaxhuese. Më e rëndësishmja është të mbrohen vlerat natyrore, gjë që bëhet përmes monitorimit, parandalimit të ndotjes së ujërave, mbrojtjes nga industria dhe nga bujqësia komerciale si dhe përdorimi i pesticideve“, thotë Despina Kitanova, udhëheqëse për zonat e mbrojtura në Shoqatën Ekologjike të Maqedonisë, e cila ishte pjesë e këshillit shkencor.
Ajo shton se plani duhet ta frenojë urbanizmin, ta ndalojë shkatërrimin e kallameve dhe ta nxisë turizmin e qëndrueshëm.
“Pas shpalljes në vitin 2011 dhe rivlerësimit në vitin 2024, përgatitja e planit është një progres. Por, që atëkohë procesi po shkon shumë ngadalë. Dispozitat e planit nuk janë obligative derisa ai të miratohet. Ndërsa në këtë hapësirë të ndërmjetme po humbasin vlerat – ka ndërtime, gjueti të paligjshme dhe peshkim“, thekson Kitanova.