Ministria e Mjedisit instaloi gardhe elektrike për mbrojtjen e blegtorëve dhe bletarëve në Malin e Sharrit

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka ndërmarrë hapin e parë për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për ariun e kafe, duke vendosur gardhe elektrike me energji diellore për mbrojtjen e fermerëve dhe bletarëve në fshatrat e Sharrit, transmeton Portalb.mk.

“Këto gardhe moderne, të financuara nga WWF Kroaci (Fondi boteror per natyren) dhe te vendosura në bashkëpunim me Parkun Nacional “Malet e Sharrit”, janë vendosur për pesë fermerë dhe bletarë që përballen me dëme të shkaktuara nga gjitarë të mëdhenj grabitqarë, si ariu dhe ujku. Qëllimi është i qartë: të mbrohen bagëtitë, bletaria dhe kulturat bujqësore, duke reduktuar konfliktet mes njerëzve dhe kafshëve të egra. Kjo teknologji parandaluese përdoret me sukses prej vitesh në vendet e Bashkimit Evropian dhe përfaqëson një zgjidhje të qëndrueshme që respekton si nevojat e komunitetit, ashtu edhe natyrën”, thonë nga Ministria e Mjedisit.

Zbatimi i këtij plani është pjesë e projektit IPA të Bashkimit Evropian dhe përbën një hap të rëndësishëm drejt:

  • Ruajtjes së biodiversitetit;
  • Mbrojtjes së specieve të rrezikuara; dhe
  • Përmirësimit të kushteve të jetesës për komunitetet lokale që jetojnë pranë habitatit të arinjve.

Përmes këtij veprimi, Ministria synon të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për banorët që përballen me sfida konkrete në terren.