Gazetarët u penguan të hyjnë në konferencën e ministrit Igor Fillkov, filloi para orarit të paralajmëruar
Një grup gazetarësh nuk u lejuan të marrin pjesë në konferencën për shtyp të Ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, pasi sigurimi nuk i lejoi të futeshin në objekt edhe pse arritën në kohë, raporton Portalb.mk.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, konferenca ishte paralajmëruar të fillonte në ora 13:00. Megjithatë, ajo filloi më herët se orari i caktuar.
Ekipi i Portalb.mk, së bashku me disa ekipe të tjera mediatike, kanë qenë para ndërtesës së ministrisë në ora 12:59, por sigurimi nuk i lejoi të hyjnë, me arsyetimin se kishte marrë udhëzim të mos lejojë askënd pasi konferenca tani më kishte filluar.
Nga Ministria e Drejtësisë për Portalb.mk deklaruan të kundërtën. Ata thanë se sigurimit i ishte dhënë udhëzim që mediat të lejohen të futen brenda. Sipas tyre, bëhet fjalë për keqkuptim, pasi sigurimi është i ri në detyrë. Institucioni kërkoi falje për situatën e krijuar.
Si pasojë, Portalb.mk nuk pati mundësi t’i parashtrojë pyetjet e përgatitura ministrit, të cilat kishin të bënin me mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Pas pamundësisë për të marrë pjesë në konferencë, pyetjet u dorëzuan në Ministrinë e Drejtësisë përmes emailit.