Ironi dhe sulme seksiste: Si u interpretua pjesëmarrja e presidentes Osmani në Bordin e Paqes nga media e kanale pro-serbe?
Përfshirja e Kosovës në takimin e parë të Komitetit/Bordit të Paqes në Washington, iniciativë kjo e prezantuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, u pasua nga një valë raportimesh ironizuese dhe sulmuese nga disa media në Serbi, të cilat më pas u amplifikuan edhe në kanale të Telegramit në gjuhën serbe dhe ruse, shkruan Sbunker.
Narrativa filloi me mënyrën se si mediat serbe e interpretuan momentin kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ngrit në këmbë pas thirrjes së Trumpit gjatë takimit.
Portali serb Telegraf.rs publikoi artikullin me titull sensacional: “Trump e trajtoi Vjosa Osmanin si në shkollë, përmendi Serbinë, ajo menjëherë shpërtheu: Gjithçka u regjistrua nga kamerat”.
Në tekst përshkruhej momenti kur Trump, duke përmendur konfliktet që sipas tij i ka zgjidhur ose ndikuar në zbutjen e tyre, tha: “Serbia dhe Kosova duhet të vazhdojnë të zgjidhin problemet e tyre… Nëse nuk munden, më telefononi dhe do ta zgjidhim.”
Ai i ftoi përfaqësuesit të ngriheshin në këmbë:
“Kosovë, Serbi, ngrihuni”!
Edhe pse Serbia nuk ishte pjesë e këtij takimi, raportimet e mediave serbe vunë theksin tek Osmani, duke shkruar se ajo u ngrit “si në shkollë”, tek e portretizuan situatën si një skenë poshtëruese dhe duke përdorur terminologjinë “presidentja e institucioneve të përkohshme të Prishtinës” – një formulim tipik i diskursit zyrtar serb që mohon shtetësinë e Kosovës.
Gazeta Blic e trajtoi takimin nga një tjetër kënd ironik, duke sulmuar vetë Trumpin me titullin: “U dridh mali, polli miu”, duke e quajtur performancën e tij “shumë të dobët” dhe duke ironizuar pretendimin se ai i ka dhënë fund tetë luftërave – përfshirë Serbinë dhe Kosovën.
Në këtë narrativë, përmendja e Kosovës në një forum ndërkombëtar u relativizua si ekzagjerim i Trumpit, ndërsa mungesa e përfaqësuesve nga Serbia u theksua për të nënvizuar gjoja mungesën e legjitimitetit të formatit.

Kanalet pro-ruse e pro-serbe në Telegrami me sulme seksiste
Derisa mediat tradicionale pro-pushtetit në Serbi përdorën ironi dhe minimizim të kësaj nisme, kanalet e Telegramit kaluan në një gjuhë më të ashpër dhe propagandistike.
Në njërin pre tyre, Kosova u quajt vazhdimisht “Republika e vetëshpallur e Kosovës”, ndërsa përfshirja në Bord u paraqit si: “Triumfi i Prishtinës”, realizim i “ëndrrave të separatistëve”, shkelje e normave të së drejtës ndërkombëtare e kërcënim për stabilitetin rajonal
Narrativa theksonte se Trump “ua dorëzoi çelësin e Botës së Madhe atyre që nuk njihen nga rreth 90 vende”, duke krijuar përshtypjen se përfshirja e Kosovës në një Bord të tillë përbën njohje të re ndërkombëtare apo ripozicionim gjeopolitik.
Po ashtu, u pretendua se mungesa e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në listën e të ftuarve “minon autoritetin e tij” dhe e shtyn Serbinë drejt BE-së, një përzierje mes analizës politike dhe insinuatave për dobësim strategjik.
Kulmi i gjuhës fyese u arrit me një tjetër postim ku shkruhej: “Вјоса из њу Моника” (Vjosa është Monika e re) – një referencë e drejtpërdrejtë ndaj Monica Lewinsky, e njohur për skandalin me ish-presidentin amerikan Bill Clinton.
Kjo analogji nuk kishte asnjë lidhje me temën e takimit, por shërbente si sulm personal dhe seksist, duke tentuar ta reduktojë përfaqësimin institucional të Kosovës në një insinuatë të ulët morale. Nga diskursi politik, narrativa kaloi në diskreditim personal.
Modelet e dezinformimit dhe delegjitimimit
Nga analiza e raportimeve dhe postimeve në Telegram synohet të arrihen disa qëllime.
Delegjitimimi përmes terminologjisë nëpërmjet përdorimit të shprehjeve si “institucione të përkohshme”, “kuazi-shtet”, “vetëshpallur”.
Ekzagjerimi i pasojave gjeopolitike ku pjesëmarrja e Kosovës në takim paraqitet si përmbysje e rendit ndërkombëtar.
Përmes kornizimit të takimit si kërcënim rajonal, përfshirja e Kosovës portretizohet si destabilizuese.
Me sulme personale dhe seksiste tentohet të bëhet zhvendosja nga qëllimi i iniciativës tek ofendimi individual.
Një ngjarje diplomatike ku morri pjesë edhe Kosova, tek mediat serbe u transformua në një narrativë polarizuese, ku ironia mediatike u shndërrua në propagandë delegjitimuese në rrjetet sociale.
Temat që prekin statusin politik Kosovës vazhdojnë të jenë terren për mobilizim narrativ në mediat serbe dhe në ekosistemin e kanaleve pro-serbe dhe pro-ruse në Telegram, ku gjuha e përdorur përshkallëzon në diskurs armiqësor dhe fyes.
