Ministria e Brendshme e RMV-së përsëri me apel për festime të sigurta gjatë mbrëmjeve të maturës
Ministria e Punëve të Brendshme, përsëri ka dalë me thirrje për kujdes gjatë festimeve të mbrëmjeve të maturës. Me parullat: “Në mbrëmjet e maturës pa makina!”, “Pa konsumim të alkoolit!”, “Pa përdorim të lëndëve narkotike!”, “Pa prishje të rendit publik!”, MPB fton të rinjtë për kujdes. Statistikat e trafikut tregojnë se numri i aksidenteve rrugore rritet në ditët kur organizohen festimet e mbrëmjes së maturës, thonë nga MPB, transmeton Portalb.mk.
Një pjesë e madhe e të përfshirëve në aksidente trafiku janë të rinj – maturantë në shkollën e mesme, të cilët më shpesh përfundojnë me lëndime të rënda trupore, dhe jo rrallë humbasin jetën.
Përgjegjësia, thonë nga MPB, për sjelljen devijante të disa maturantëve në trafik bie kryesisht mbi të rinjtë, por edhe mbi prindërit e tyre.
“Mos i lini fëmijët tuaj të shkojnë në mbrëmjen e maturës me makinë. Gabimet në trafik mund të jenë fatale. Prandaj: “Në mbrëmjet e maturës pa makina !”, “Pa konsumim të alkoolit!”, “Pa përdorim të lëndëve narkotike!”, “Pa prishje të rendit publik!”, thuhet në apelin e MPB-së.