Aktakuzë kundër një personi, kërcënoi një gjyqtar nga Gostivari

Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka ngritur aktakuzë kundër një personi të akuzuar për vepër penale – Rrezikim i Sigurisë sipas nenit 144, paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“Më 29 prill, në fshatin Vrutok, i pandehuri kërcënoi se do të sulmojë jetën ose trupin e një personi zyrtar – gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gostivar. Kërcënimet u bënë në lidhje me kryerjen e detyrave profesionale që gjyqtari ndërmerrte në kuadër të autorizimeve të tij”, njofton Prokuroria.

I pandehuri hyri në oborrin e shtëpisë familjare të gjyqtarit, e pyeti nëse e njihte dhe filloi ta kërcënonte drejtpërdrejt, duke përmendur një lidhje me një procedurë të supozuar gjyqësore. Pasi i bëri kërcënimet me ton të lartë, ai u largua.

Me aktakuzën, prokurori publik kompetent paraqiti edhe një propozim për zgjatjen e masës së paraburgimit të përcaktuar më parë për të pandehurin.