Ministri Gjoko Velkovski u kërkoi qytetarëve që të raportojnë nëse veturat përdoren për aktivitete partiake

Ministri Teknik i Punës dhe Politikës Sociale Gjoko Velkovski u dërgoi mesazh të gjithë drejtorëve të qendrave për punë sociale, qendrave ndërkomunale për punë sociale, institucioneve publike dhe të gjithë palëve të interesuara të zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar që janë nën ombrellën e Ministrisë, të raportojnë përdorimin e sendeve të luajtshme dhe të paluajtshme në pronën shtetërore gjatë fushatës zgjedhore, në përputhje me kodin zgjedhor, transmeton Portalb.mk.

Indikacioni ka të bëjë me shfrytëzimin e ligjshëm të hapësirës së zyrës, pajisjeve të zyrës dhe automjeteve zyrtare të organeve shtetërore gjatë fushatës zgjedhore, përkatësisht për zgjedhjet për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut të vitit 2024 dhe zgjedhjet për parlamentare.

Mosrespektimi i detyrimeve dhe ndalimeve nga raportimi sjell përgjegjësi penalo-juridike sipas rregullave ligjore.

Në periudhën në vijim, nëse ndonjë qytetar vëren keqpërdorim të burimeve, agjitacion, veprimtari partiake, keqpërdorim të pozitës zyrtare për të ndikuar në vullnetin e lirë të qytetarëve, menjëherë duhet të lajmërojë në ministri në numrin 02/3106456 ose me emailin [email protected].

Kujtojmë se, për zgjedhjet që do të mbahen këtë vit, votuesit do të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar afati i vlefshmërisë brenda nëntë muajve deri në ditën e zgjedhjeve. Kuvendi me 7 mars, në seancën e 147-të, me procedurë të shkurtuar, me 84 vota për dhe 2 abstenime, miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.