Ministria e Financave refuzoi 27 punësime për Shtëpinë e Pleqve në Kumanovë dhe thotë “nuk kemi marrë kërkesë”

Ministria e Financave e ka refuzuar kërkesën për punësimin e 27 punëtorëve të rinj për vitin 2027 në Shtëpinë e Pleqve “Zafir Sajto” në Kumanovë, megjithëse institucioni kishte marrë paraprakisht miratimin nga Ministria e Politikës Sociale dhe Agjencia e Shoqërisë Informatike. Në përgjigjen për Portalb.mk, Ministria e Financave pretendoi se nuk kishte pranuar kërkesë për këto punësime, por dokumenti i refuzimit, i siguruar nga redaksia, dëshmon të kundërtën. Për të përballuar mungesën e stafit, institucioni do të angazhojë punonjës me kontratë në vepër, të cilët do t’i paguajë nga mjetet vetanake, shkruan Portalb.mk.

Plani për 27 punësimet e reja fillimisht ishte miratuar nga Këshilli i Komunës së Kumanovës. Më pas, kërkesa kishte marrë përgjigje pozitive edhe nga Ministria e Politikës Sociale dhe Agjencia e Shoqërisë Informatike, por nuk kishte marrë miratimin e Ministrisë së Financave.

Megjithatë, e pyetur nga Portalb.mk për këto punësime, Ministria e Financave pretendoi se nuk kishte pranuar kërkesë nga institucioni kompetent.

“Ju informojmë se nuk është paraqitur asnjë kërkesë në Ministrinë e Financave nga institucioni kompetent. Theksojmë se Ministria e Financave u përgjigjet kërkesave të paraqitura në lidhje me zbatimin e punësimeve të reja në përputhje me rregulloret ligjore”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Kjo përgjigje bie ndesh me dokumentin e siguruar nga Portalb.mk, i cili dëshmon se Ministria e Financave e kishte shqyrtuar kërkesën për punësimet e reja në Shtëpinë e Pleqve “Zafir Sajto” dhe e kishte refuzuar. Dokumenti i refuzimit i është drejtuar Ministrisë së Politikës Sociale. Refuzimi i kërkesës nga Ministria e Financave, i dërguar Ministrisë së Politikës Sociale.

Refuzimi i kërkesës nga Ministria e Financave deri te Ministria e Politikës Sociale. Foto: Portalb.mk
Refuzimi i kërkesës nga Ministria e Financave deri te Ministria e Politikës Sociale. Foto: Portalb.mk

Drejtori i Shtëpisë së Pleqve “Zafir Sajto”, Aleksander Kërstevski, për Portalb.mk tha se mungesa e stafit dhe ngarkesa e madhe në punë e detyrojnë institucionin të kërkojë zgjidhje alternative për të vazhduar funksionimin.

“Ministria e Financave nuk e pranoi kërkesën tonë për punësimin e 27 punëtorëve të rinj në staf, edhe pse kishim paraprakisht përgjigje pozitive nga Ministria e Politikës Sociale dhe nga Agjencia e Shoqërisë Informatike. Tani zgjidhja e vetme na ka mbetur që të angazhojmë punonjës me kontratë në vepër për një kohë të shkurtër dhe do të paguhen me vetëfinancim”, u shpreh Kërstevski.

Sipas tij, pagesa e këtyre punonjësve nga mjetet vetanake paraqet barrë të madhe për institucionin. Megjithatë, ai tha se janë të detyruar të veprojnë në këtë mënyrë, pasi stafi aktual nuk mund ta përballojë intensitetin e lartë të punës.

Mungesa e personelit vështirëson ofrimin e shërbimeve për të moshuarit që qëndrojnë në institucion dhe kufizon mundësinë për pranimin e të tjerëve.

Portalb më herët ka raportuar për mungesën e stafit në Shtëpinë e Pleqve “Zafir Sajto” Kumanovë, kur drejtuesit e institucionit kishin bërë të ditur se rreth 30 të moshuar ndodheshin në listën e pritjes, por nuk mund të pranoheshin për shkak të mungesës së personelit.

Shërbimet juridike, kontabiliteti dhe mirëmbajtja e higjienës mbulohen nga kompani private.

Shtëpia e Pleqve funksionon prej vitesh me staf të përgjysmuar dhe tashmë tre vjet pret miratimin e Ministrisë së Financave për punësime të reja. Edhe pse kapaciteti i planifikuar parasheh rreth 80 vende pune, aktualisht janë të angazhuar vetëm rreth 30 punonjës, të cilët kujdesen për afro 180 përfitues. Vetëm 13 kujdestarë dhe gjashtë infermierë, të organizuar në tre ndërrime, mbulojnë kujdesin e përditshëm, ndërkohë që standardet parashohin një kujdestar për çdo 10 përfitues në secilën ndërrim.

Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të Ministrisë së Politikës Sociale ekzistojnë pesë institucione publike, Shkup, Kumanovë, Prilep, Manastir dhe Berovë për të moshuarit, ndërsa 44 institucione tjera private të cilat ofrojnë strehim për personat e moshuar.

Ndryshe, në të gjithë vendin numri i popullsisë rezidente të moshës mbi 60 vjeçare është rreth 440,000. Gjithashtu shqetësuese është shkalla e ulët e fertilitetit prej 1.44 fëmijësh për grua, gjë që tregon se popullsia në RMV, në vazhdimësi po plaket dhe nuk po ripërtërihet.