RMV, rreth 4.000 qytetarë deri tani kanë kontrolluar Listën zgjedhore, afati skadon më 18 mars

Deri më 11 mars, rreth katër mijë qytetarë kanë kontrolluar listën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme. Gjashtë prej tyre, siç ka bërë të ditur Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, kanë kërkuar ndryshimin e të dhënave, nëntë kanë kërkuar që të dhënat e tyre të regjistrohen në Listën Zgjedhore dhe pesë kanë kërkuar që të fshihen të dhënat e tyre, transmeton Portalb.mk.

Kontrolli i listës zgjedhore, i cili do të jetë i mundshëm deri më 18 mars, mund të bëhet përmes ueb-faqes së KSHZ-së, dhe qytetarët mund të paraqesin kërkesë për ndryshim të listës në mënyrë elektronike. Deri më 11 mars, 21 persona kanë paraqitur kërkesë për ndryshim elektronik të të dhënave, nga të cilët tre kanë kërkuar fshirjen e të dhënave, ndërsa shtatë kanë kërkuar regjistrim në Listën zgjedhore.

Përveç kontrollit të Listës zgjedhore, 18 marsi është data kur qytetarët në diasporë mund të regjistrohen se do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme. Sipas të dhënave të KSHZ-së, deri në mëngjesin e sotëm janë pranuar 1010 regjistrime të personave nga diaspora, prej të cilëve 617 janë pranuar, 278 nuk janë proceduar dhe 115 janë refuzuar.

Ndryshe, për zgjedhjet që do të mbahen këtë vit, votuesit do të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar afati i vlefshmërisë brenda nëntë muajve deri në ditën e zgjedhjeve. Kuvendi me 7 mars, në seancën e 147-të, me procedurë të shkurtuar, me 84 vota për dhe 2 abstenime, miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor.

Kujtojmë se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.