Milloshoski: Qeveria e re pritet deri më 20 qershor, me gjasë do të përbëhet nga VMRO-DPMNE, Vlen dhe ZNAM

Qeveria e re pritet të formohet deri më 20 qershor dhe me gjasë do të përbëhet nga VMRO-DPMNE, koalicioni i partive opozitare të shqiptarëve “Vlen” dhe Lëvizja ZNAM, transmeton Portalb.mk.

Kështu ka shkruar deputeti dhe anëtari i Komisionit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, në profilin e tij në platformën sociale X, pas rivotimit të djeshëm për zgjedhjet parlamentare në shtatë vendvotime në njësitë zgjedhore 5 dhe 6.

Në postim, anëtari i kryesisë së fituesit të zgjedhjeve parlamentare, përveç pritshmërive rreth formimit të qeverisë së re dhe pjesëmarrësve të ardhshëm në të, ka ndarë edhe rezultatet e përmbledhura që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) shpallur mbrëmjen e djeshme pas rivotimit në dy zonat zgjedhore.

Sipas tyre, ajo solli një ndryshim të vogël, por domethënës në rregullimin e mandateve parlamentare në përbërjen e ardhshme parlamentare.

Koalicioni “Vlen” mori një deputet më shumë dhe në vend të 13, siç kishte pas zgjedhjeve të 8 majit, tani ka 14 një nga koalicioni “Fronti Europian” i udhëhequr nga BDI, i cili pas rivotimit në një vendvotim në Zhelinë në njësinë e gjashtë zgjedhore ka mbetur me një mandat më pak.

Në ndërkohë, VMRO-DPMNE dhe VLEN tani më kanë formuar grupet e punës dhe vijojnë bisedimet për formimin e Qeverisë. Ndërsa nga VMRO-DPMNE kanë deklaruar se kur të përfundojnë negociatat me VLEN-in, do të hapet mundësia për bisedime me Lëvizjen ZNAM të Maksim Dimitrievskit.

VMRO-DPMNE pret që përbërja e re e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut pritet të konstituohet deri më 28 maj, ndërsa Qeveria e re pritet të formohet deri në mes të qershorit.