Artan Grubi ofroi 335 mijë euro garanci, më 13 tetor i skadon arresti shtëpiak

Ish zëvendëskryeministri Artan Grubi, i akuzuar në rastin “Lotaria Shtetërore”, ka ofruar rreth 335 mijë euro për garantuar mos arratisjen dhe për t’i kthyer pasaportën, ndërsa arresti shtëpiak ndaj tij skadon më 13 tetor 2026, njoftoi sot Gjykata Themelore Penale në Shkup, shkruan Portalb.mk.

“Mbrojtja ofroi pasuri të paluajtshme në vlerë prej 335.707 eurosh si garanci se i akuzuari do të jetë në dispozicion të organeve të ndjekjes gjatë procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale.

Propozimi i mbrojtjes i është dërguar Prokurorisë Publike për mendim. Pas marrjes së mendimit, Këshilli Penal do të vendosë nëse do ta pranojë garancinë.

Nga Gjykata bëjnë të ditur se aktakuza për rastin e Lotarisë Shtetërore është dorëzuar më 13 gusht 2026. Sipas nenit 470 të Ligjit për Procedurë Penale, masa e arrestit shtëpiak për Grubin skadon më 13 tetor 2026, pas përfundimit të afatit ligjor prej 60 ditësh nga dorëzimi i aktakuzës.

“Masa e arrestit shtëpiak për këtë të akuzuar skadon më 13 tetor 2026”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Kujtojmë se, përveç ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami, të cilët ishin në arrati, por u kthyen dhe iu dorëzuan autoriteteve në vend, në këtë lëndë gjyqësore janë të akuzuar edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.

Të gjithë të akuzuarit gjatë procedurës së deritanishme janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprat për të cilat ngarkohen.

Akuza, të cilën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ka të bëjë me veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat të akuzuarit kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre zyrtare, megjithëse e kanë ditur se SHA “Lotaria Shtetërore” nuk ka të drejtë të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve videolotarie. Kjo e drejtë që në vitin 2013 ishte investuar si kontribut jo-monetar në vlerë prej 6,2 milionë eurosh në themelimin e kompanisë së përbashkët “Lotaria Shtetërore Videolotarie e Republikës së Maqedonisë – KASINOS AUSTRIA”, ku SHA “Lotaria Shtetërore” zotëron 51 përqind të aksioneve.

Ndryshe, gjatë hetimit të akuzuarit ngarkoheshin për veprën penale “përvetësim në shërbim”, për të cilën, sipas nenit 354 të Kodit Penal, parashihet dënim më i lartë, por me dorëzimin e propozim-akuzës, prokurorët nga PTHP Shkup e rikualifikuan veprën në “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.

Risi në propozim-akuzë është se Prokuroria e ka saktësuar më tej atë, gjë që ka rezultuar nga ekspertiza dhe, sipas saj, në vend që të akuzohen për dëm në vlerë prej 507.623.173 denarësh ose 8,2 milionë eurosh, të akuzuarit tani ngarkohen për dëm prej rreth 9,7 milionë eurosh ose 596.125.511 denarësh.

Procesin gjyqësor e drejton gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jovevska, si gjyqtare e vetme, pasi lënda është ngritur me propozim-akuzë dhe jo me aktakuzë dhe zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar.