Mickoski: Nuk shqyrtohet mundësia për hyrjen në Qeveri të krahut të Ziadin Selës, kemi shumicë të qëndrueshme
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se aktualisht nuk po shqyrtohet mundësia që krahu i Zijadin Selës t’i bashkohet qeverisë, pasi krahu i Selës paraprakisht u largua nga “Aleanca Kombëtare për Integrim” dhe njoftoi veprim opozitar, transmeton Portalb.mk.
Mickoski pretendon se koalicioni ka një shumicë historikisht të qëndrueshme, madje dy të treta.
“Si qeveri, ne kemi një shumicë historikisht të lartë në parlament, dy të tretat, dhe në këtë moment nuk ka një mendim të tillë”, theksoi Mickoski.
Kujtojmë se Sela është shprehur se do të bëhet pjesë e Qeverisë nëse pranohen tre kushte. Në emisionin “Debat në Shenja” tha se kusht që ai të jetë pjesë e shumicës janë: miratimi i ndryshimeve kushtetuese, zëvendësimi i termit “20%” me “gjuha shqipe” në Kushtetutë, si dhe vendosja e Badenterit në Gjykatën Kushtetuese.
Aleanca për Shqiptarët aktualisht funksionon në tre grupacione, dy në opozitë të udhëhequra nga Arben Taravari dhe Ziadin Sela si dhe një në pushtet e udhëhequr nga Arben Fetai.
Ndonëse për atë se kujt i takojnë vulat e partisë, Taravarit apo Selës, pati një proces gjyqësor, i njëjti është duke vijuar.
Në ndërkohë gjatë rrugës u krijua edhe grupi i tretë i Aleancës i prirë nga Arben Fetai.
Përçarja e parë në Aleancën për Shqiptarët ndodhi para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale 2024, kur Arben Taravari dhe Ziadin Sela i ndanë rrugët dhe u krijuan dy fronte.
Taravari në zgjedhje shkoi me koalicioni VLEN ndërsa sela me Frontin Evropian.
Pas zgjedhjeve, Aleanca e Taravarit hyri në Qeveri si pjesë e koalicionit VLEN, ndërsa Aleanca e Selës mbeti në opozitë me Frontin Evropian.
Përçarja e dytë në Alencën për Shqiptarët të Taravarit ndodhi pak para se të mbushen një vit nga pjesëmarrja në qeveri dhe pak muaj para zgjedhjeve lokale. ASh-ja e Taravarit vendosi ta braktisë Qeverinë dhe koalicionin VLEN, ndërsa në zgjedhjet lokale shkoi në koalicion me AKI-në (Frontin Evropian).
Megjithatë një grup funksionarësh që ishin me Taravarin, të prirë nga Arben Fetai vendosën të ngelin në koalicionin VLEN dhe Qeveri duke u thirrur në Aleancën për Shqiptarët.