ASH e Selës i ndau rrugët me AKI-n: Do të veprojmë në mënyrë autonome
Kryesia e Aleancës për Shqiptarët e Ziadin Selës, mbrëmë mbajti mbledhje në të cilën u diskutua situata aktuale politike, procesi dhe epilogu i zgjedhjeve lokale, si dhe hapat e mëtejmë të këtij subjekti politik. Nga kjo parti bënë me dije se nga tani e tutje do të veprojnë në mënyrë autonome dhe si grup i pavarur në Kuvend, duke ndarë kështu rrugët me koalicionin AKI, transmeton Portalb.mk.
“Në zgjedhjet e fundit lokale, koalicioni me të cilin garuam doli fitues në nivel kombëtar, me sasinë e votave të fituara në listat për këshilltarë dhe numrin e këshilltarëve të fituar, por jemi të pakënaqur nga epilogu në garën për kryetarë komunash ku u përballëm me një inzhinjering të fuqishëm shtetëror dhe bashkëveprime të subjekteve shqiptare në pushtet me partitë maqedonase nga të gjitha kampet, me të vetmin qëllim, realizimin e platformës së VMRO-së për defaktorizimin e shqiptarëve në vend. Nga këto skenare më shumë se ne si subjekte humbën vetl shqiptarët, pasi pas pushtetit qëndror, tani shqiptarët u degraduan edhe në nivel të pushtetit lokal. Por, edhe përskaj kësaj situate Aleanca për Shqiptarët mbetet e vendosur në mbrojtjen e kauzës kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut duke e vlerësuar si të rëndësishëm rritjen dhe forcimin e angazhimit politik për arritjen e idealit dhe objektivit tonë”, thonë nga ky subjekt.
Pas diskutimeve thuhet më tej, anëtarët e kryesisë në mënyrë unanime sollën vendim për veprim autonom të Aleancës për Shqiptarët, ndërsa ditëve në vijim deputetët e ASH do të procesojnë në Kuvend edhe vendimin për veprim si grup i pavarur.
“Periudhën në vijim, strukturat dhe eksponentët e partisë do të fillojnë me takime jo vetëm të anëtarëve të partisë, por edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, aktorëve qytetar e politik dhe të çdo individi ose organizimi për të forcuar radhët tona dhe për të zhvilluar betejën tonë politike në këto momente shumë të ndjeshme politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Sela madje është shprehur se do të bëhet pjesë e Qeverisë nëse pranohen tre kushte. Në emisionin “Debat në Shenja” tha se kusht që ai të jetë pjesë e shumicës janë: miratimi i ndryshimeve kushtetuese, zëvendësimi i termit “20%” me “gjuha shqipe” në Kushtetutë, si dhe vendosja e Badenterit në Gjykatën Kushtetuese.
Kujtojmë se Aleanca për Shqiptarët aktualisht funksionon në tre grupacione, dy në opozitë të udhëhequra nga Arben Taravari dhe Ziadin Sela si dhe një në pushtet e udhëhequr nga Arben Fetai.
Ndonëse për atë se kujt i takojnë vulat e partisë, Taravarit apo Selës, pati një proces gjyqësor, i njëjti është duke vijuar.
Në ndërkohë gjatë rrugës u krijua edhe grupi i tretë i Aleancës i prirë nga Arben Fetai.
Përçarja e parë në Aleancën për Shqiptarët ndodhi para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale 2024, kur Arben Taravari dhe Ziadin Sela i ndanë rrugët dhe u krijuan dy fronte.
Taravari në zgjedhje shkoi me koalicioni VLEN ndërsa sela me Frontin Evropian.
Pas zgjedhjeve, Aleanca e Taravarit hyri në Qeveri si pjesë e koalicionit VLEN, ndërsa Aleanca e Selës mbeti në opozitë me Frontin Evropian.
Përçarja e dytë në Alencën për Shqiptarët të Taravarit ndodhi pak para se të mbushen një vit nga pjesëmarrja në qeveri dhe pak muaj para zgjedhjeve lokale. ASh-ja e Taravarit vendosi ta braktisë Qeverinë dhe koalicionin VLEN, ndërsa në zgjedhjet lokale shkoi në koalicion me AKI-në (Frontin Evropian).
Megjithatë një grup funksionarësh që ishin me Taravarin, të prirë nga Arben Fetai vendosën të ngelin në koalicionin VLEN dhe Qeveri duke u thirrur në Aleancën për Shqiptarët.