Mickoski: Nëse ka dyshime, mund të bëjmë një regjistrim të jashtëzakonshëm të popullsisë

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar pjesë të metodologjisë së regjistrimit të vitit 2021 që i referohen popullatës “rezidente” dhe “jorezidente”, pasi ato nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit, ka hapur debat politik në Maqedoninë e Veriut. Përveç kërkesës për përgjegjësi penale për tejkalimin e kompetencave të Entit Shtetëror të Statistikave, lind pyetja nëse vendi ka nevojë për një regjistrim të ri të jashtëzakonshëm. Kryeministri Mickoski deklaroi se kjo mund të bëhet nëse ka vullnet politik dhe dyshime, transmeton Portalb.mk.

“Do të na duhet një metodologji e re për regjistrimin e ardhshëm. Statistikisht, regjistrimi i rregullt duhet të mbahet nga fillimi i dekadës, pra në vitin 2031-2032, por nëse dikush ka dyshime dhe ka vullnet politik, tani mund të bëjmë një regjistrim të jashtëzakonshëm, sepse dikush po përpiqet të abuzojë me qytetarët”, tha kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske.

Gjykata Kushtetuese të enjten (26.06) informoi se “pjesët e shënuara të metodologjisë nuk janë në përputhje me vlerën themelore të rendit kushtetues – sundimin e ligjit, i cili rregullohet me nenin 8 paragrafi 1 alinea 3 dhe detyrimin kushtetues që të gjitha rregulloret të jenë të harmonizuara me ligjet dhe Kushtetutën, të rregulluara me nenin 51 të Kushtetutës, pastaj nenet 6, 7 dhe 17 paragrafi 2 alinea 1 i Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, Familjeve dhe Banesave në Maqedoninë e Veriut në vitin 2021.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave i tejkaloi kompetencat e tij dhe, me një akt nënligjor, kreu kategorizimin e popullsisë rezidente dhe jorezidente, për të cilën nuk ka autorizim ligjor.

“Përgjegjësinë politike për zbatimin e regjistrimit e mori koalicioni i mëparshëm në opozitë, dhe mbetet të shihet nëse ka baza për përgjegjësi penale”, thotë Mickoski.

Kujtojmë se sipas të dhënave nga Regjistrimi i vitit 2021 i publikuar nga Enti Shtetërore e Statistikave, Popullsia e përgjithshme e Maqedonisë së Veriut sipas përkatësisë etnike është si vijon:

  • 54.21% – Maqedonase
  • 29.52% – Shqiptarë
  • 3.98% – Turq
  • 2.34% – Rom
  • 0.44% – Vlleh
  • 1.18% – Serb dhe të tjerë

Popullsia rezidente e regjistrimit sipas deklarimit të përkatësisë etnike:

  • 58.44% – Maqedonas
  • 24.30% –  Shqiptar
  • 3.86% – Turq
  • 2.53%- Rom
  • 0.47% – Vlleh
  • 1.30% –  Serb
  • 0.87% – Boshnjakë

Popullsia e përgjithshme jorezidente e përfshirë në Regjistrimin ku përkasin qytetar të Republikës së Maqedonisë së Veriut që ndodhen jashtë në 12 muajt e fundit – 258.932 persona, prej tyre:

  • 24.45% – Maqedonas
  • 66.36% – Shqiptar
  • 4.79% – Turq
  • 1.02% – Rom
  • 0.19%- Vlleh
  • 0.36% – Serb
  • 0.81% – Boshnjak dhe të tjerë

Sipas të dhënave nga Regjistrimi i vitit 2021 pothuajse 37 përqind e apartamenteve të ndërtuara në Maqedoninë e Veriut janë të pabanuara. Në nivel shtetëror, janë ndërtuar rreth 840,000 apartamente, nga të cilat 307,000 janë bosh.

Krahasuar sipas numrit, apartamentet më të pabanuara janë në Shkup, pothuajse 60,000, që në përqindje është afër 28 përqind të numrit të përgjithshëm të apartamenteve. Shikuar sipas komunave, numri më i madh i apartamenteve të pabanuara është në Ohër, 17,800, që është më shumë se numri i apartamenteve të banuara (15,840) në këtë qendër turistike. Situata është e ngjashme në Kërçovë, ku ka pothuajse 13,000 apartamente të pabanuara, dhe 11,880 janë të banuara.