Mickoski do t’i thërrasë në takim marketet që kanë rritur marzhet dhe do t’u thotë se kjo është e papranueshme

Në disa markete është vërejtur rritje e marzhit bruto, krahasuar me vitin e kaluar nga 2 në 5 përqind, dhe ata do të thirren në takim dhe do t’u thuhet qartë se kjo është e papranueshme, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me ecurinë e negociatave me marketet dhe nëse do të ketë ulje të çmimeve të produkteve ushqimore.

“Po, për të qenë specifik me një shembull – nëse vitin e kaluar në qershor marzhi bruto ishte 10 përqind, tani është 12 ose 15 përqind. Ato janë ato 2 deri në 5 përqind shtesë dhe ne nuk do ta tolerojmë këtë dhe do t’u dërgojmë mesazh shumë të qartë. Nëse ato 2 deri në 5 përqind do të uleshin, atëherë praktikisht, ne do të ishim vendi me inflacionin më të ulët në Evropë, në këtë moment, megjithëse pres që inflacioni të stabilizohet në qershor, një vlerë shumë më e ulët krahasuar me majin dhe prillin”, tha Mickoski.

Ai tha se këto parametra duhet të publikohen brenda një jave, bazuar në shifrat që marrin nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.

“Po përcaktojmë edhe atë grup prej 600-700 produktesh, ku po bëjmë një analizë, do të na duhet pak më shumë kohë atje, sepse janë faktorë input-output, marzhi që kanë shpërndarësit dhe prodhuesit, kundrejt marzhit bruto që kanë rrjetet e supermarketeve. Analiza është pak më e komplikuar, unë personalisht po punoj për të, kështu që mund të na duhet pak më shumë kohë”, tha Mickoski.

Sipas të dhënave të fundit statistikore, një familje me katër anëtarë në qershor kishte nevojë për mbi 68.600 denarë për të mbuluar shpenzimet themelore. Më shumë se një e treta e buxhetit shpenzohet për ushqim dhe pije, mbi 100 euro në muaj shkojnë për veshmbathje, fatura dhe transport.

Vitin e kaluar, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës gjobiti katër rrjete të mëdha supermarketesh me nga 50.000 euro secilin për lidhje në kartel.