Dhjetë kompani sigurimesh në RMV formuan kartel dhe rritën çmimet, u gjobitën mesatarisht me nga 28.000 euro

Dhjetë kompani sigurimi formuan një kartel kur ranë dakord me njëra-tjetrën për të rritur çmimin e sigurimit të makinës, i cili paguhet me regjistrimin e automjetit. Euroins, Triglav, Sava, Sha Makedonija Skopje-Vjena Insurance, Eurolink, Grave, Unika, SHA Osigurtelna Polis, Halk dhe Croatia janë dhjetë kompanitë e sigurimeve që shkelën të gjitha parimet e funksionimit të tregut dhe konkurrencës, me qëllim që të përfitonin në kurriz të pronarëve të automjeteve, informoi Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, transmeton Portalb.mk.

Ky aktivitet u zhvillua nga marsi deri në maj të vitit të kaluar, për të cilin Komisioni vendosi gjobë totale prej mbi 17 milionë denarë ose mbi 280,000 euro për kompanitë, ose mesatarisht 28.000 euro për secilën prej kompanive.

“Komisioni për Vendimmarrje për Kundërvajtje pranë Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës ka miratuar një vendim me të cilin vërtetohet ekzistenca e sjelljes së bashkërenduar (kartel) midis dhjetë kompanive të sigurimeve në tregun e sigurimit të përgjegjësisë nga automjetet motorike (AO), të cilën çdo pronar i automjetit motorik duhet ta paguajë gjatë regjistrimit të automjetit. Procedura përcaktoi se kompanitë e sigurimeve shkëmbyen informacione të ndjeshme, koordinuan aktivitete dhe, në një periudhë jashtëzakonisht të shkurtër kohore, morën vendime identike ose të dakorduara reciprokisht për të rritur pjesën e primit për kryerjen e një aktiviteti – të ashtuquajturën zbritje për shpenzime të përgjithshme”, thotë Komisioni.

Ata theksojnë se sjellja e kompanive të sigurimeve përbën kufizim të konkurrencës “për shkak të qëllimit të vet”, pra formën më serioze të shkeljes së Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Shkëmbimi i informacionit dhe miratimi paralel i vendimeve për çmimet zëvendësojnë politikën e pavarur të biznesit me veprim të koordinuar kolektiv në treg, gjë që është rreptësisht e ndaluar, thotë Komisioni.